AktualitetKosovaRajoniTë fundit

“Shuplakë” Perëndimit, Vuçiç sfidon SHBA e BE: Në Ohër, nuk firmos asgjë!

Edhe pse Perëndimi i ka ndezur më fort se kurrë motorët e diplomacisë me shpresën e afrimit të zgjidhjes për çështjen e Kosovës dhe të Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shfaq sfidues në konferencën e fundit për shtyp në Beograd.

Ai deklaroi përpara gazetarëve se nuk ka ndërmend të firmosë asgjë në takimin e së shtunës në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Me shpresën të arrihet progres në takimin ku do të diskutohet për udhërrëfyesin e zbatimit të planit të ofruar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, në Beograd e Prishtinë kanë zbarkuar këto ditë si i dërguar i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ashtu edhe i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Por Vuçiç duket ende nuk është bindur.

“Kur dikush të nënshkruajë diçka, unë do ta bëj, për këtë vendosin qytetarët por nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë. Kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin dhe ende nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli. Nuk ka nevojë të alarmohet publiku. Kur të ketë te reja, do ta informoj dhe do të vë në dukje të këqijat, ose të mirat, nëse ka të mira në diçka që është e vështirë për ne.“- tha Vuçiç.

Ai shtoi se takimi i Ohrit nuk do të jetë ‘ditë e gjykimit’ duke nënvizuar se do të përpiqet të bëjë atë që është më e mira për vendin e tij dhe se nuk do të heqë dorë nga vijat e kuqe të Serbisë kundrejt Kosovës./TCH

 

Fraksion.com