AktualitetBota+Të fundit

Scheffer: Putin tani duhet të frikësohet nga udhëtimet jashtë Rusisë

Pa marrë parasysh nëse del ndonjëherë në bankën e të akuzuarve ose jo, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të jetë gjithmonë “i akuzuar i arratisur” nga drejtësia ndërkombëtare, thotë juristi amerikan, David Scheffer.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi të premten urdhër arrestim për Putinin, duke e akuzuar atë për krime lufte në Ukrainë, përfshirë dëbim të paligjshëm të fëmijëve.

Scheffer, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së për Çështjet e Krimeve të Luftës në administratën e Bill Clintonit, thotë se pret edhe akuza të tjera kundër udhëheqësit rus dhe njerëzve që zbatojnë urdhrat e tij.

Putin “duhet të frikësohet vërtet nga udhëtimet jashtë kufijve të Rusisë. Ndoshta, me përjashtim të vendeve si: Kina, Bjellorusia, Irani, Koreja e Veriut. Këto vende me siguri që nuk do ta arrestonin”, thotë Scheffer për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Scheffer, a mund të arrestohet Vladimir Putin pas këtij urdhërarrestimi?

David Scheffer: Presidenti Putin do të jetë subjekt i arrestimit gjatë gjithë jetës së tij. Për shkak të urdhërarrestimit të lëshuar sot [më 17 mars] nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, ai do të identifikohet përgjithmonë si i akuzuar i arratisur, derisa të arrestohet dhe të sillet para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për atë që njihet si konfirmim i akuzave. Pas kësaj, nëse gjykatësit pajtohen, ai do të jetë i pandehur para Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Por, ky etiketim, si i akuzuar i arratisur, do të vazhdojë me vite, derisa të arrestohet – nëse ndonjëherë arrestohet.

Radio Evropa e Lirë: Kush mund ta arrestojë Putinin?

David Scheffer: Autoritetet e çdo shteti palë në Statutin e Romës [v.j. traktati që ka themeluar Gjykatën Ndërkombëtare Penale] janë të detyruara ta bëjnë këtë. Kjo do të thotë se nëse ai do të udhëtonte në territorin e ndonjë shteti palë, ai do të arrestohej.

Ekziston gjithmonë mundësia që nëse ai është në Rusi ose diku tjetër, në Kinë, në Korenë e Veriut, ose në Bjellorusi, t’i nënshtrohet ndonjë operacioni të fshehtë për ta arrestuar. Por, ju e dini, kjo është disi ekstreme.

Radio Evropa e Lirë: I përmendët disa vende… Çfarë nëse disa prej tyre refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë?

David Scheffer: Nëse janë palë në Statutin e Romës dhe refuzojnë ta arrestojnë, ato i shkelin detyrimet që kanë me këtë statut. Ato duhet të vendosin nëse duan të shihen si shkelëse të detyrimeve të traktatit ose jo.

Disa vite më parë, Jordania, e cila është palë në Statutin e Romës, e ka lejuar presidentin Al Bashir të Sudanit të hynte në territorin e saj dhe ka refuzuar ta arrestojë, edhe pse ka qenë i paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Gjykatësit e kanë ndjekur këtë çështje dhe kanë konstatuar se Jordania ka pasur detyrim të qartë ligjor për arrestimin e zotit Al Bashir, për shkak të pjesëmarrjes së saj në Statutin e Romës.

Radio Evropa e Lirë: A do të frikësohet tani Putini të udhëtojë?

David Scheffer: Sigurisht. Ai duhet ta marrë shumë parasysh këtë. Edhe brenda [Rusisë] – me sa kam kuptuar nga lajmet – ai nuk po fluturon më, ndoshta nga frika e rrezikut në qiell. Ai e merr trenin kudo ku shkon në Rusi. Tani, ai duhet të frikësohet vërtet nga udhëtimet jashtë kufijve të Rusisë. Ndoshta, me përjashtim të vendeve si: Kina, Bjellorusia, Irani, Koreja e Veriut. Këto vende me siguri që nuk do ta arrestonin.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur raste të tilla më herët?

David Scheffer: Po. Al Bashiri i Sudanit ka qenë shumë i kufizuar në udhëtimet e tij. Është dashur të ishte shumë i kujdesshëm se ku udhëtonte. Ka ndodhur që ai ka udhëtuar në Afrikë të Jugut. Ajo e ka mirëpritur fillimisht, por është dashur të largohet nga ky vend shumë shpejt, pas kërcënimeve se mund të arrestohet. Pse? Sepse Afrika e Jugut është palë në Statutin e Romës.

Pra, po, [urdhërarrestimi] e kufizon shumë mundësinë e dikujt për të drejtuar ndonjë diplomaci ndërkombëtare.

Zoti Putin do të jetë i padëshirueshëm ndërkombëtarisht, nuk ka dyshim për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Gjykata Ndërkombëtare Penale e akuzon Putinin se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, gjë që përbën krim lufte. Mendoni se atij mund t’i shtohen më shumë akuza?

David Scheffer: Po, jam i sigurt se do të akuzohet për krime të tjera lufte. Vetë prokurori ka sinjalizuar në fillim të kësaj jave se mund të ngrihet akuzë për sulme kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, që kanë pasur ndikim jashtëzakonisht të madh në sigurinë dhe mirëqenien e popullatës civile, sepse ajo ka mbetur pa rrymë gjatë muajve të ftohtë të dimrit.

Nuk do të ishte për t’u habitur nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale, së shpejti, lëshon urdhërarrestim edhe për këtë krim.

Pastaj, ka edhe shumë krime të tjera, sepse Putin ka qenë shumë transparent sa i përket udhëheqjes së ushtrisë në agresionin e saj kundër Ukrainës dhe kryerjen e mizorive atje. Pra, duke qenë aq transparent, ai është inkriminuar publikisht, në mënyrë të përsëritur. Unë mendoj se do të ketë më shumë urdhërarrestime kundër tij.

Radio Evropa e Lirë: Kremlini ka thënë se ky urdhërarrestim është “i papranueshëm” dhe “i pavlefshëm”, duke deklaruar gjithashtu se Rusia nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Si mund të ndikojë kjo në zbatimin e këtij urdhri?

David Scheffer: Mendoj se protesta e tij do të injorohet. Është një argument i vjetër. Fakti që [Rusia] nuk është palë në Statutin e Romës, nuk e amniston atë nga përgjegjësia, nëse [Putin] vendos të shkojë në territorin e një shteti palë, ose të një vendi që i ka dhënë juridiksion Gjykatës Ndërkombëtare Penale mbi territorin e tij.

Ukraina e ka bërë këtë qysh nga viti 2014, kur Putin ka hyrë në Krime.

Të gjithë do të prisnin që Rusia të reagonte në këtë mënyrë. Por, nuk ka rëndësi. Nuk ka rëndësi se si reagon. Për pjesën e mbetur të jetës së tij, ky urdhërarrestim do të jetë aty, nuk do të hiqet kurrë. Ky është realiteti. Është koha për t’u përballur me këtë realitet. Ai mund të mos dalë para Gjykatës Ndërkombëtare Penale edhe 15-20 vjet të tjerë. Mund edhe të mos dalë kurrë. Por, ai do të jetë gjithmonë një i akuzuar i arratisur nga drejtësia ndërkombëtare.

Natali Sevriukova duke qarë pranë shtëpisë së saj të shkatërruar nga një sulm rus me raketa në qytetin e Kievit, Ukrainë, të premten e 25 shkurtit të vitit 2022.

Radio Evropa e Lirë: Dhe çfarë do të thotë kjo për luftën në Ukrainë?

David Scheffer: Shpresoj se do të dërgojë sinjal se jo vetëm për zotin Putin, por edhe për njerëzit që veprojnë nën udhëheqjen e tij, që i zbatojnë urdhrat e tij dhe që janë pjesë e planifikimit të këtyre krimeve në Ukrainë, drejtësia po troket. Pa marrë parasysh se a duan ta pranojnë ose jo, kjo po ndodh. Ata mund të protestojnë sa të duan, por po ndodh. Dhe, kjo është rëndësia e lajmit të sotëm./REL

 

Fraksion.com