AktualitetPolitikëTë fundit

Rama propozon në krye të SHISH, ish-shefen e shërbimit inteligjent të Kosovës

“I paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.Vlora Hyseni drejtore të Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar,” njoftoi Rama.

Hyseni punon prej gati dy vitesh si këshilltare për sigurinë pranë zyrës së kryeministrit Rama, ndërsa më herët ka shërbyer në Kosovë si zv/drejtore dhe drejtore e komanduar e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Hyseni është shkarkuar nga kjo detyrë në qershor të 2021, me urdhër të kryeministrit kosovar,  Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.

Propozimi i Ramës u prit me shqetësim nga opozita, e cila i kërkoi presidentit Bajram Begaj që të marrë informacion të plotë nga institucionet e Kosovës mbi arsyet e largimit nga detyra të Znj. Hyseni.

“Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. SHISH nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare,” tha përmes një mesazhi në Facebook deputeti demokrat, Gazmend Bardhi.

SHISH ka mbetur pa drejtues prej muajit dhjetor kur drejtori i fundit i intitucionit, Helidon Bendo, u lirua nga detyra nga Presidenti Begaj dhe kryeministri Rama duke kaluar kompetencat e drejtimit tek zëvendësdrejtori Oljan Kanushi.

Kryeministri njoftoi se Bendo kishte dhënë dorëheqjen për shkak të ndjekjes së studimeve pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./BIRN

 

Fraksion.com