AktualitetBota+Të fundit

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshon “urdhër arresti” për presidentin rus, Vladimir Putin

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar “urdhër arreste” për presidentin rus, Vladimir Putin dhe komisioneren presidenciale për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseyevna Lvova-Belova, transmeton Anadolu.

“Sot, 17 mars të vitit 2023, Dhoma Paragjyqësore II e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, lëshoi urdhër arresti për dy individë në kontekstin e situatës në Ukrainë, për z. Vladimir Vladimirovich Putin dhe znj. Maria Alekseyevna Lvova-Belova”, thuhet në njoftimin e ICC-së.

Sipas njoftimit, presidenti rus dyshohet se është “përgjegjës për krimin e luftës së dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.

ICC gjithashtu tha se “krimet dyshohet se janë kryer në territorin e pushtuar ukrainas të paktën nga 24 shkurti i vitit 2022”.

Gjykata tha se ka “baza të arsyeshme” për të besuar se Putin “mbart përgjegjësi penale individuale” për krimet e përmendura.

Më tej, thuhet se Lvova-Belena gjithashtu dyshohet se është përgjegjëse për “krimet e luftës së dëbimit të paligjshëm” të fëmijëve nga Ukraina në Rusi.

Dhoma Paragjyqësore II e ICC-së “konsideroi se ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimet e luftës së dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.

Sipas njoftimit, dhoma gjithashtu “konsideroi se urdhër-arrestet janë sekrete për të mbrojtur viktimat dhe dëshmitarët dhe gjithashtu për të mbrojtur hetimin”.

 

Fraksion.com