AktualitetBota+Të fundit

Tronditje financiare në bankën zvicerane Credit Suisse

Credit Suisse, banka e dytë më e madhe zvicerane, e tronditur nga probleme financiare, do të huazojë miliarda nga Banka Kombëtare Zvicerane.    

Banka zvicerane Credit Suisse e cila ka probleme financiare do të marrë një hua deri në 50 miliardë franga (50.7 miliardë euro) nga Banka Qendrore e Zvicrës. Ky lajmi ndihmoi për qetësimin e tregjeve financiare.

Banka zvicerane Vontobel tha se e konsideron ndihmën e bankës qendrore një “sinjal të fortë dhe të rëndësishëm. Shpresojmë që masat do të qetësojnë tregjet dhe do të ndërpresin spiralen negative. Megjithatë, do të duhet kohë deri se të besimi tek Credit Suisse të rikthehet plotësisht.”

Banka Credit Suisse konsiderohet në mbarë botën si një ndër 30 bankat “shumë të mëdha për të falimentuar”

Banka Credit Suisse është në mbarë botën një ndër 30 bankat e klasifikuara si “shumë të mëdha për të falimentuar”, sepse falimentimi i tyre do të kishte një ndikim shkatërrues në ekonominë botërore.

Credit Suisse, banka e dytë më e madhe zvicerane, njoftoi se miliardat e huazuara nga Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) do të përdoren për të mbështetur biznesin kryesor dhe transformimin në një bankë më të orientuar nga klientët.

Shqetësim në Britaninë e Madhe dhe Gjermani

Sipas njoftimeve të mediave Banka e Anglisë (BoE) thirri një mbledhje urgjente për shkak të thellimit të krizës në bankën Credit Suisse. Banka e Anglisë po zhvillon bisedime me partnerët ndërkombëtarë për të zbutur shqetësimet në rritje për bankën e madhe zvicerane, njofton gazeta The Telegraph.

Për shkak të krizës së bankës Credit Suisse edhe qeveria gjermane është duke zhvilluar bisedime intensive me institucionet e kontrollit financiar dhe bankat në Gjermani. Ministri gjerman i Financave  Christian Lindner tha se gjendja e bankave në Gjermani është e qëndrueshme dhe se në të gjitha nivelet po bëhet kujdes që kjo gjendje të mos ndryshojë.

Fraksion.com