AktualitetNATO/BETë fundit

Polonia, anëtari i parë i NATO-s që furnizon Kievin me avionë luftarakë

Presidenti i Polonisë tha të enjten se vendi i tij planifikon t’i japë Ukrainës rreth 12 avionë luftarakë MiG-29, duke u bërë kështu vendi i parë anëtar i NATO-s, që përmbush kërkesat gjithnjë e më urgjente të Kievit, për avionë të tillë.

Presidenti Andrzej Duda tha se Polonia do të dorëzonte katër avionë luftarakë të prodhimit sovjetik brenda ditëve të ardhshme dhe se pjesa tjetër do t’i jepej Ukrainës më vonë, pasi t’u bëheshin disa riparime. Zoti Duda la të kuptohet se bëhet fjalë për 11 deri në 19 avionë luftarakë.

Ata janë në vitet e fundit të funksionimit të tyre, por janë në gjendje të mirë pune“, tha zoti Duda duke iu referuar avionëve.

Ai nuk tha nëse edhe vende të tjera do të bënin të njëjtën gjë, por Sllovakia ka njoftuar se do të dërgojë në Ukrainë, avionët MiG që nuk i ka përdor. Të mërkurën, zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Mueller tha se disa vende kishin premtuar gjithashtu se do t’i jepnin Kievit avionë luftarakë MiG, por pa i përmendur ato.

Po sot (e enjte) Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara janë informuan mbi vendimin e Polonisë për t’i ofruar Ukrainës avionë luftarakë.

Ne vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë Poloninë, teksa i ofrojmë ndihmë Ukrainës”, u tha gazetarëve sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka kërkuar vendeve perëndimore avionë luftarakë, aleatët e NATO-s kanë shprehur hezitim.

Përpara sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë, Ukraina kishte disa dhjetëra avionë MiG-29, të trashëguara pas rënies se Bashkimit Sovjetik. Pas më shumë se një viti luftimesh është e paqartë se sa prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje pune.

Debati nëse Ukraina, një vend joanëtar i NATO-s, duhet furnizuar, ose jo me aeroplanë luftarakë, filloi më shumë se një vit më parë. Por aleanca ka qenë e kujdesshme për të mos përshkallëzuar konfliktin. Presidenti polak e bëri njoftimin gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Varshavë me Presidentin çek Petr Pavel.

Zoti Duda tha se forcat ajrore të Polonisë do t’i zëvendësojnë avionët që do t’i japin Ukrainës, me avionë luftarakë FA-50, të prodhuar nga Koreja e Jugut dhe F-35, prodhim amerikan.

Polonia ishte gjithashtu vendi i parë i NATO-s që i dorëzoi Ukrainës muajin e kaluar tanket e prodhimit gjerman, ‘Leopard 2’.

Polonia konsiderohet si një aleat vendimtar në funksion të menaxhimit të konfliktit në Ukrainë. Në këtë vend janë dislokuar me mijëra trupa amerikane dhe në mes të krizës më të madhe evropiane të refugjatëve ndër dekada, Polonia ka marrë më shumë ukrainas që janë larguar nga lufta, se çdo vend tjetër.

Polonia është përballur ndër shekuj me sulme dhe pushtime nga Rusia dhe ende i frikësohet Moskës, pavarësisht se është një vend anëtar i NATO-s./VOA

 

Fraksion.com