AktualitetPolitikëTë fundit

Lobimet e Metës dhe Kryemadhit: Historia me paratë ruse nisi që nga investigimi i gazetës austriake Kronen Zeitung

Dhjetë muaj më parë, “Kronen Zeitung” media më e madhe austriake publikonte një artikull ku sipas një dëshmitari shqiptar që strehohej në Austri, Ilir Meta përshkruhej si thelbësisht i korruptuar.

Artikulli mes të tjerave citonte dokumentet e siguruara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA për lobimin ndër vite të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në Uashington.

Gazeta referonte edhe një pagesë prej 700 mijë dollarësh të bërë në 2016-të dhe fillim të 2017-s përmes kompanisë Dorelita Limited, e regjistruar në Qipro.

Sipas kontratës së dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë, qëllimi ishte mbrojtja e interesave të personave dhe klientëve të kompanisë qipriote, që përfaqësohej nga avokati Iraklis Fidetzis, i cili dyshohet në njohje e Vangjel Tavos, ish-deputet i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës.

Dokumentet tregojnë se janë paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania McKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”.

Pyetja që nuk merr përgjigje në artikullin e medias austriake është burimi i këtyre parave. Dyshimet u ngritën në dy pista, ose janë para korrupsioni, ose financim nga vende të treta si pjesë e fushatës së tyre për influencë në Ballkan.

Përgjigjen për me sa duket e ka artikulli i EuReporter, media e themeluar që në 2001 me bazë në Bruksel.

Në një artikull të ditës së mërkurë, EuReporter solli dokumente të siguruara nga inteligjenca amerikane, që tregojnë transaksione monetare të Monika Kryemadhit me kompani guaskë të regjistruara në parajsa fiskale. Pagesat janë marrë nga kompania offshore “Holdem Holdings”, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan.

Monika Kryemadhi dyshohet se është aksionere në kompaninë offshore të kontrolluar nga rusët, pasi në mandat pagesat thuhet se shuma prej 13 mijë e 500 euro është marrë si divident për aksioneren.

Kryemadhi gjithashtu ka bërë një pagesë për një kompani offshore, “Vradus Holdings”, e cila kontrollohej nga Vitaly Savvin, një oligark rus nafte, që sikurse u zbulua nga Forbes ishte një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit.

Investigimi i EuReporters ngre dyshime se dy kompanitë në fjalë të regjistruara në parajsa fiskale nuk kanë asnjë aktivitet, por shërbejnë si maskim në këtë rast për të shpërndarë paratë ruse për politikanët e korruptuar në Evropën Lindore si pjesë e strategjisë së Moskës për të rritur influencën në këto vende.

 

Fraksion.com