AktualitetPolitikëTë fundit

KAS regjistron në zgjedhje PD-në e përfaqësuar nga Alibeaj

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi sot regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn.

KAS u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj për regjistrim në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Pasi dëgjoi përfaqësuesit ligjor të dy grupimeve KAS-i me shumicë votash vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore të grupimit Alibeaj, duke kërkuar nga përfaqësuesi ligjor që të depozitojë në KQZ deklaratën me të dhënat për nënkryetarin Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar, deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga nënkryetari Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar.

Në emër të KQZ, KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr.33 të ankuesit Partia Demokratike. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr.32 të ankuesit Partia Demokratike e përfaqësuar në seancë nga Indrit Sefa. Ankuesi Partia Demokratike përfaqësuar nga Indrit Sefa të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: Deklaratën sipas shkronjës b të pikës 2 të nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetar z.Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar. Deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga nënkryetari z.Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ndryshimin e vendimit të Komisionerit Zgjedhor të Zgjedhjeve dhe detyrimin e komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e KAS.

Përfaqësuesi i PD-së Indrit Sefa tha se, “kërkesa për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje është firmosur nga unë që jam përfaqësues ligjor pranë KQZ-së”.

“Në lidhje me pretendimin e Komisioneri për  deklaratë solemne, përcaktohet fare qartë se lëshohet në emër të partisë të subjekti politik në përputhje me neni 64 të Kodit Zgjedhor. Pra deklarata i referohet partisë dhe kryetari e firmos për shkak të detyrës që ka. Dhe sipas ligjit të partive politike, partinë mund ta përfaqësojnë institucione, dhe kryetari ka vetëm detyra partiake. Komisioneri thotë duhet ta firmosë kryetari, ky bie ndesh me ligjin e partive politike. Nuk ka kufizime ligji për partitë politike, dhe Komisoneri i bën interpretim të gabuar”, tha Sefa.

Në vijim, Sefa tha se, “ne informojmë Komisionerin se nga ana e PD dokumentacioni është paraqitur i plotë dhe Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen dhe në bazë të rregullave statutore nuk kemi detyrim të depozitojmë shkresë as në gjykatë për rregullimet e brendshme”.

“Interpretimi i zgjeruar që i bën Komisioneri, duke bërë interpretime personale është në shkelje të Kodit Zgjedhor, dhe Komisioneri nuk ka të drejtë të hyjë në punët e brendshme të partisë”, tha ai.

Pas diskutimeve dhe shqyrtimit të fakteve dhe provave, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.

“Në emër të KQZ, KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 33 të ankuesit Partia Demokratike. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr. 32 të ankuesit Partia Demokratike e përfaqësuar në seancë nga Indrit Sefa”, u shpreh relatori Koli Bele.

“Ankuesi Partia Demokratike përfaqësuar nga Indrit Sefa të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: Deklaratën sipas shkronjës b të pikës 2, të nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetar Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar. Deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga nënkryetari z. Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ndryshimin e vendimit të Komisionerit Zgjedhor të Zgjedhjeve dhe detyrimin e komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e KAS të lexuar nga relatori i çështjes Koli Bele.

Fraksion.com