Francë: Qeveria miraton reformën e pensioneve pa e kaluar në parlament
Opozita franceze kritikoi qasjen, të cilën e quajti”brutale”. Macroni e kaloi reformën e tij të debatueshme të pensioneve pa votim në Parlament. Presidenti përdori një nen të veçantë të Kushtetutës për këtë qëllim.
Qeveria franceze e imponoi reformën e saj të debatuar të pensioneve pa votim në parlament. Kryeministrja Elisabeth Borne i shpjegoi Asamblesë Kombëtare se do të përdoret neni 49.3 i Kushtetutës. Ai lejon miratimin e një ligji pa votim nga Asambleja Kombëtare. Megjithatë, qeveria duhet të kapërcejë një mocion mosbesimi të lidhur me të.
Në shenjë proteste, politikanët e opozitës kënduan himnin francez dhe brohoritën. Më pas seanca u pezullua. Në Asamblenë Kombëtare, kampi i qeverisë së Presidentit Macron nuk ka një shumicë të mjaftueshme dhe duhet të mbështetet në votat e republikanëve konservatorë. Por si duket Macroni nuk ishte i sigurtë se do ta merrte në votim mbështetjen e konservatorëve. Dhe një dështim në votim do ta shenjonte në mënyrë të përhershme negativisht presidencën e tij. Më herët gjatë ditës, Senati e pati miratuar reformën e pensioneve.
Projektet e reformës përfshijnë rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç. Javët e fundit, protesta kombëtare kundër këtij projekti janë zhvilluar disa herë në Francë dhe kanë mbledhur qindra mijëra njerëz. Në këtë kontekst, kampi i qeverisë pritet të pësojë humbje në rast zgjedhjesh të reja.
Dy të tretat janë kundër reformës
Sipas sondazheve, rreth dy të tretat e francezëve janë kundër reformës. Gjashtë nga dhjetë francezë janë gjithashtu në favor të demonstratave të reja, edhe pas miratimit përfundimtar të tekstit. Dje, sipas Ministrisë së Brendshme, 480.000 vetë protestuan sërish kundër planeve të pensioneve. Greva sot priten edhe në hekurudha, rafineritë e naftës dhe grumbullimin e plehrave. Në Paris, tashmë janë grumbulluar male plehrash.
Qeveria franceze kërkon të shmangë një deficit në fondin e pensioneve me këtë reformë. Pensionet e posaçme, në fuqi deri tani, duhet të hiqen për të gjithë ata që punësohen rishtazi. Nga ana tjetër, pensioni minimal për një periudhë kontributi të plotë do të rritet në 1200 euro. Punësimi i të moshuarve gjithashtu do të inkurajohet.
Rritja graduale e planifikuar e moshës së pensionit nga 62 në 64 është veçanërisht e debatueshme në Francë. Por pensioni faktik në Francë fillon mesatarisht më vonë edhe sot. Ata që nuk kanë kontribuar mjaftueshëm për të marrë një pension të plotë punojnë më gjatë. Vetëm në moshën 67 vjeç jepet një pension pa zbritje, pavarësisht periudhës së kontributeve. Reforma konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme të presidentit Macron. Nëse projektet e tij nuk marrin shumicën, kërcënohet një krizë qeveritare./DW
Fraksion.com