A munden drithërat ukrainase të lehtësojnë krizën globale ushqimore?
Rusia ka propozuar që nisma e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që mundëson eksportimin e drithërave nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, të zgjatet vetëm për 60 ditë.
Marrëveshja skadon më vonë gjatë këtij muaji dhe fillimisht ishte zgjatur për 120 ditë. Tani ka shqetësime se një periudhë më e shkurtër e zgjatjes së marrëveshjes mund të shkaktojë probleme logjistike.
E arritur në korrikun e vitit të kaluar, marrëveshja ka krijuar një korridor të sigurt transit detar dhe pakti u dizajnua për të lehtësuar mungesat globale ushqimore duke lejuar rinisjen e eksporteve nga tri portet e Ukrainës, shtet që është prodhues i madh i drithërave dhe farave vajore.
Më poshtë mund të mësoni se cilat janë disa nga problemet:
Çfarë është eksportuar?
Marrëveshja krijoi një kanal të sigurt për transport, dhe deri më tani janë transportuar rreth 24.6 milionë ton produkte të agrikulturës, përfshirë 12.2 milion ton misër.
Dërgesat e grurit kanë arritur në 6.7 milionë ton. Të tjera produkte që janë eksportuar përfshijnë vaj nga farat e zeza, vaj luledielli dhe elb.
Destinacioni kryesor i këtyre dërgesave ka qenë Kina me 5.4 milionë ton produkte, pasuar nga Spanja me 4.3 milionë dhe Turqia me 2.7 milionë ton.
Si mund të ndryshojë marrëveshja?
Ndryshimi më i madh i mundshëm në marrëveshje është shkurtimi i afatit të zgjatjes në 60 ditë nga 120 sa ishte më parë. Ky ndryshim është mbështetur nga Rusia, por është kundërshtuar nga Ukraina.
Shkurtimi i periudhës është i rëndësishëm pasi ka ngadalësim të dërgesave sa afrohet data për zgjatjen e serishme të marrëveshjes, për shkak të rrezikut të mundshëm që marrëveshja mund të prishet.
Nëse marrëveshja kolapson, mund të bllokohen më shumë anije në rajon.
Janë rreth 60 anije komerciale që janë bllokuar rreth porteve ukrainase, nga mbi 90 anije – shumica me ngarkesa ushqimore në bord – që ishin në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Prandaj, ka të ngjarë që nëse marrëveshja zgjatet për një periudhë më të shkurtër, kjo do të ndikojë në volumin e ngarkesave me drithëra dhe vajra që eksportohen nga Ukraina përmes korridorit, pasi kompanitë do ta shqyrtojnë edhe mundësinë që ngarkesat e tyre të bllokohen.
Kompanitë e transportit të dërgesave veçse janë duke nguruar që të dërgojnë anijet e tyre përmes korridorit para se të dinë rezultatin e bisedimeve aktuale, thanë burimet.
Ukraina ka thënë se do të dëshironte që marrëveshja të zgjatej për të paktën një ditë dhe në të përfshihej edhe porti i Mikolajivit.
Tri portet e përfshira në marrëveshja – i Odesës, Çornomorskut dhe Pivdenjit – së bashku kanë kapacitet që të eksportojnë rreth 3 milionë ton mallra në muaj.
Sipas të dhënave të transportit detar të vitit 2021, Mikolajivi ishte terminali i dytë më i madh i Ukrainës për transportin e drithërave. Prandaj, futja e këtij porti në marrëveshje do të mundësonte që të rritej sasia e drithërave dhe vajrave që do të mund të eksportoheshin.
Rusia ka thënë se kundërshton zgjerimin e marrëveshjes deri kur të merren hapa konkretë për të zhbllokuar eksportet e saj të agrikulturës.
Eksportet e agrikulturës nuk janë shënjestruar në mënyrë eksplicite nga sanksionet, por Moska ka argumentuar se bllokadat në pagesa, logjistikë dhe në industrinë e sigurimit janë barriera në eksportet e saj të drithërave dhe plehrave artificiale.
Ndër kërkesat e saj, Rusia besohet se dëshiron që Perëndimi të lehtësojë kufizimet ndaj bankës shtetërore që jep hua për sektorin e bujqësisë, Rosselkhozbank. Lehtësimet ndaj kësaj banke do të ndihmonin eksportet ruse.
A është lehtësuar kriza ushqimore?
Reduktimi i dërgesave nga Ukraina, që është eksportuese e madhe, ka luajtur rol në krizën globale të çmimeve ushqimore.
Të tjerë faktorë përfshijnë pandeminë COVID-19 dhe ndryshimet klimatike që vazhdojnë të paraqesin sfidë për prodhimet e agrikulturës, përfshirë thatësira si në Argjentinë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.
Korridori i sigurisë ka çuar në rikuperimin e pjesshëm të dërgesave nga Ukraina, por ato vazhdojnë të jenë nën nivelet e para nisjes së pushtimit dhe nuk mund të rikuperohen plotësisht në një të ardhme të parashikueshme.
Transporti i drithërave në dhe nga portet në Ukrainë është sfidues dhe i shtrenjtë, dhe fermerët ukrainas kanë reduktuar mbjelljen e kulturave sikurse gruri dhe misri. Kjo, pasi në shumë raste kanë shitur me humbje të korrat e vitit të kaluar, sepse çmimet brenda Ukrainës ishin shumë të ulëta.
A kanë rënë çmimet globale të grurit?
Çmimet e grurit në Bordin e Tregtisë së Çikagos u rritën ndjeshëm pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Tani çmimet janë përafërsisht sikurse ishin para nisjes së pushtimit, pasi aftësia e Ukrainës për të eksportuar miliona ton grurë përmes korridorit ndihmoi në rënien e çmimeve.
Të tjerë faktorë përfshijnë edhe prodhimin rekord vitin e kaluar të eksportuesit kryesor, Rusisë, perspektiva e zymtë ekonomike globale dhe forcimi i dollarit.
Çmimet ushqimore që kanë për bazë grurin, sikurse buka dhe pastat, janë ende shumë më të larta sesa nivelet e para pushtimit në shumë vende në zhvillim, pavarësisht rënies së çmimeve në Bordin e Çikagos. Kjo ndodh për shkak të vlerës së dobët të monedhave lokale dhe çmimeve të larta të energjisë, që kanë rritur kostot e transportit dhe paketimit.
Po sigurimi i mallrave?
Qendra për Koordinim të Përbashkët në Stamboll, e cila mbikëqyr marrëveshjen, përbëhet nga zyrtarët rusë, turq, ukrainas dhe të OKB-së. Kjo qendër në gushtin e vitit të kaluar publikoi procedurat që aplikohen në kanalin e transportit, në mënyrë që të adresojë shqetësimet e kompanive të sigurimeve dhe të pronarëve të anijeve.
Kompanitë e sigurimeve fillimisht thanë se ishin të gatshme të ofronin sigurimin e mallrave nëse do të kishte marrëveshje për përcjelljen e anijeve nga marinat ndërkombëtare dhe nëse do të kishte strategji të qartë për të adresuar minat e vendosura në rrugët detare të transportit.
Që atëherë, këto kompani kanë krijuar klauzola për të ofruar siguri për ngarkesat, përfshirë edhe kushte që anijet duhet të qëndrojnë brenda korridorit kur kalojnë transit ose rrezikojnë të zhvlerësojnë sigurimin e produkteve që transportojnë.
Pas marrëveshjes së 22 korrikut, kompania e sigurimeve Lloyds of London, Ascot dhe Marsh, ndërtuan një objekt për sigurim detar për drithërat dhe produktet ushqimore që eksportoheshin nga portet ukrainase të Detit të Zi, duke ofruar 50 milionë dollarë sigurim për çdo transport përmes anijeve.
Kostoja e përgjithshme e sigurimit për anijet që lundrojnë në portet ukrainase – që përfshin segmente të veçanta të sigurimit – megjithatë, ka të ngjarë të mbetet e lartë.
Anijet që lundrojnë drejt një prej tre porteve ukrainase, sipas marrëveshjes, janë të detyruara të paguajnë një sigurim shtesë për luftën, që duhet të paguhet çdo shtatë ditë. Kjo pagesë shtesë kushton mijëra dollarë.
Nëse zgjatja e marrëveshjes kufizohet në 60 ditë, kjo mund të bëjë që shumë pronarë të anijeve të hezitojnë të transportojnë mallra, duke pasur parasysh kostot e mëdha dhe mundësinë që anijet e tyre të bllokohen./REL
Fraksion.com