DW: SHBA e Rusi fajësojnë njëra-tjetrën pas incidentit me dronin
Rusia nuk e pranon se e ka prekur dronin amerikan mbi Detin e Zi që u rrëzua pasi u përplas me një avion luftarak rus. Ambasadori rus i thirrur në SHBA flet për “provokim” pas incidentit me dronin.
Moska e vlerëson si “provokim” incidentin në hapësirën ajrore ndërkombëtare në Detin e Zi. Këtë e tha ambasadori rus në Uashington. Anatoli Antonov, pasi u thirr në Ministrinë e Jashtme amerikane. Rusia nuk e pranon se e ka prekur dronin amerikan mbi Detin e Zi. Në të njëjtën kohë Antonov, tha se bisedimet e zhvilluara ishin “konstruktive” dhe nuk është folur për “pasoja” të mundshme për Moskën. Pentagoni fajëson Rusinë se ka çuar në rrëzim një dron mbikqyrës amerikan të tipit MQ-9 “Reaper”.
Dy avionë luftarakë rusë të tipit Su-27 e sulmuan dronin e tipit MQ-9 Reaper që po fluturonte mbi ujëra ndërkombëtare në një mënyrë “të rrezikshme dhe joprofesionale”, tha Shtabi Rajonal i Evropës i Forcave Amerikane në Shtutgart (EUCOM). Sipas EUCOM-it njëri prej avionëve luftarakë kishte prekur helikën e dronit zbulues, i cili më pas u rrëzua.
Mungesë kompetence dhe profesionalizimi
Moska tha se droni amerikan kishte bërë një manovër dhe u rrëzua pasi qe përplasur me avionët rusë pranë Krimesë, por këmbënguli që avionët luftarakë rusë nuk kishin qëlluar me armë ose kishin goditur dronin. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se avionët luftarakë si pjesë e forcave të mbrojtjes ajrore kishin marrë si detyrë që të identifikonin “ndërhyrësin” mbi Detin e Zi.
Dron zbulues i tipit MQ-9 Reaper
EUCOM-i deklaroi se “ky incident tregon mungesë kompetence dhe është përveç kësaj i rrezikshëm dhe joprofesional”. Sipas Pentagonit incidenti ka të ngjarë të ketë shkaktuar dëme edhe tek aeroplanët rusë, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes tha se avionët luftarakë të saj ishin “kthyer të sigurt në aeroportin e tyre”.
SHBA reagon
Pas kësaj ngjarjeje SHBA thirri në Ministrinë e Punëve të Jashtme ambasadorin rus, tha Ned Price, zëdhënësi i kësaj ministrie. SHBA e quajtën ngjarjen si “shkelje të pacipë të ligjit ndërkombëtar”.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, u tha gazetarëve se “ne nuk kemi nevojë t’i njoftojmë dhe të akordohemi me rusët përpara se të fluturojmë në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Nuk ka asnjë kërkesë për ta bërë këtë dhe as nuk e bëjmë”. Incidenti i së martës shënon herën e parë që prej kulmit të Luftës së Ftohtë që një avion-dron amerikan u rrëzua pasi u godit nga një avion luftarak rus.
Fraksion.com