Rama ndan fotoalbumin e festimeve të Ditës së Verës
Elbasani u kthye sot në kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita e tij në Elbasan dhe nga festimet për “Ditën e Verës”.
Rama vizitoi “Festivalin e ballokumes”, një panair i ngritur në qendër të qytetit të Elbasanit për të festuar Ditën e Verës. Kryeministri uroi qytetarët e mbledhur për të festuar në Elbasan, teksa u ndal edhe në stendat e “Panairit të zejeve”.
Me qindra qytetarë elbasanas, por jo vetëm festuan sot ardhjen e pranverës, në një atmosferë të gëzuar. Qytetarët u mblodhën në shesh për të festuar dhe shpërndarë mes tyre ballokumet dhe urimet për më shumë harmoni, paqe e shëndet.
Mëngjesi i 14 marsit e ka gjetur sërish qytetin plot me qytetarë, ndërsa bulevardi ka qenë i rezervuar vetëm për fëmijët e shkollave në aktivitetin e tyre të përvitshëm, karnavalet.
Qytetarët por edhe turistë të huaj shijuan ballokumet, si edhe ndoqën panairin, ekspozitat, aktivitetet sportive dhe artistike të të rinjve, për mos harruar edhe koncertin në shesh dhe në teatrin ” Skampa”.
Plot 27 aktivitete në 5 ditë rradhazi e kthyen Elbasanin në qendrën e festimeve në mbarë vendin.
Sot festohet Dita e Verës. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj, jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.
Fraksion.com