Lajçak: Pa asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk mund të ketë marrëveshje Kosovë – Serb
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron për të dytën ditë me radhë në Beograd, citohet të ketë thënë gjatë një interviste për Radiotelevizionin e Serbisë se pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, “nuk ka marrëveshje” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Zoti Lajçak i cili po takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe një pjesë të opozitës në Serbi, citohet të ketë thënë se “qëllimi nuk është që dikush të fitojë apo të humbasë por të hapet dera evropiane për të dy vendet”.
Më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i thanë po një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e tij, që do të kërkojë më shumë bisedime.
Plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.
Serbia thotë se formimi urgjent i Asociacionit mbetet përparësi e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të martën se marrëveshja për Asociacionin gjendet në pikën e dhjetë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
“Unë e kuptoj që Serbia shtynë shumë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo “zajednicës” siç e kemi quajtur ndryshe, ajo është në nenin 10 njëra prej 33 marrëveshjeve. Natyrisht ne e dimë qëndrimin e Serbisë mirëpo unë duhet që t’i referohem asaj për çfarë jemi marrë vesh dhe atë keni mundur që ta lexoni që të gjithë, ndërkaq plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër”, tha kryeministri Kurti.
Diplomatët perëndimor u kanë bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të zbatojnë marrëveshjen për Asociacionin dhe gjatë vizitës së javës së kaluar në Kosovë, zoti Lajçak, tha se u ka dorëzuar autoriteteve në Kosovë 15 modele të ndryshme që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të pakicave në Evropë e që do të mund të përdoreshin gjatë hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se modelet të cilat janë prezantuar nga zoti Lajçak nuk kanë të bëjnë me asociacione por sipas saj janë modele për të drejtat e pakicave.
“Pra, secila prej tyre janë modele të cilat disa japin më shumë të drejta, në disa modele ka më pak të drejta, sesa që tashmë Kosova u jep pakicave apo komuniteteve joshumicë. Ne i kemi analizuar të gjitha këto modele dhe natyrisht ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por unë do të thosha sërish që modeli më i mirë, shumë më i mirë se të gjitha ato pesëmbëdhjetë është modeli aktual që e ka Republika e Kosovës”, tha ajo.
“Megjithatë ne jemi aty për të diskutuar elemente të tilla në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje, të kemi diversitet të vazhdueshëm, që multietniciteti të vazhdojë të jetë vlera kryesore e sistemit tonë kushtetues. Pra, gjithçka që mund të bëjmë që të garantojmë të drejta përderisa nuk cenohet funksionaliteti i brendshëm i shtetit tonë, ne nuk kemi nevojë që të mohojmë diçka të tillë”, tha presidentja Osmani.
Presidentja Osmani tha se nuk ka pritje të mëdha për përparim në procesin e dialogut për shkak të qasjes së Serbisë. “Megjithatë shpresa ime është që komuniteti ndërkombëtar do të fokusohet me një presion në raport me Serbinë në mënyrë që të bindet edhe Serbia që data 18 mars, pra takimi që do të mbahet në Ohër, është një momentum jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e dialogut, në mënyrë që nëpërmjet kësaj marrëveshje së bashku me një plan zbatimi të zgjidhen shumë çështje të cilat pastaj e hapin rrugën drejt njohjes reciproke”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
Fraksion.com