AktualitetTë fundit

Masakra në Don Bosko: Gjendet një mjet i djegur dhe tre kallashnikov në afërsi të Bubqit

Një makinë “BMV” që dyshohet të jetë e autorëve të atentatit në Don Bosko është gjetur e djegur këtë mëngjes në afërsi të Bubqit.

Raportohet se janë gjetur dhe tre armë zjarri kallashnikov, me të cilat dyshohet se u qëllua mbrëmë me breshëri plumbash drejt një lokali në Don Bosko, duke lënë të vrarë banakieren dhe plagosur pesë të tjerë.

“Rreth orës 08:00, në vendin e quajtur “Ura e Sulë Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, shërbimet e Policisë të Stacionit të Policisë Manzë, duke ushtruar kontroll në territor, për kapjen e autorëve të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Ananstas Shundi”, Don Bosko, Tiranë, kanë konstatuar të djegur plotësisht, një automjet tip “BMW”, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike“, njofton policia.

Ngjarja që tronditi zonën të dielën në mbrëmje ndodhi rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të Fatjon Muratit, person me precedent të theksuar kriminal.

Banakierja e lokalit, Mimoza Paja, rreth 58 vjeç u qëllua për vdekje, ndërsa u plagosën Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku dhe Genc Shohalli.

E lënduar ka mbetur dhe një 10-vjeçare, që është dëmtuar nga ciflat e xhamave pas të shtënave me armë.

Kush është Fatjon Murati?

Pronari i lokalit ku ndodhi atentati, Fatjon Murati, është dënuar me heqje lirie për posedimin e municioneve dhe armëve të zjarrit.

Murati u dënua me arrest me burg, por masa iu zbut në arrest shtëpie. Megjithatë, sikurse gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat raporton, Murati nuk ndodhet në banesë, teksa në lokalin e tij, autorë të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash.

Murati u arrestua në fillim të shkurtit 2022, kur u kap në shoqërinë e Endrit Dokles.

Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi ka rezultuar posedues i armëve të zjarrit të gjetura në një kompleks rezitencial në kryeqytet. Për këtë bazë armatimi ra në pranga dhe 25-vjeçari nga Laçi Kristian Gjini, ndërsa në ambientet e marra me qira nga ai u gjetën 7 armë zjarri, 4 silenciator, municione e sende të tjera të paligjshme.

Emri i Fatjon Muratit doli në skenë edhe pas vrasjes së 3-fishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës më 17 korrik 2022, kur humbën jetën Blilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha. Prokuroria nxori një listë personash, mes të cilëve ishte dhe Fatjon Murati, si person që mund të kishte dijeni për ngjarjen.

Murati është ndaluar më parë nga autoritetet italiane, si i dyshuar për blerje të mallrave të vjedhura, posedim ilegal të armëve dhe të lëndëve narkotike.

Ndërkohë, disa ditë pasi u ndalua, me vendim gjykate, u sekuestruan pasuritë e paluajtshme me vlerë 5 milionë euro.

 

Fraksion.com