Berisha: Artan Lame u shkarkua, nuk firmosi për Portin e Durrësit
Ish- kryeministri Sali Berisha komentoi sot nga Belshi ku ishte për të prezantuar kandidatin e tij për kryebashkiak dhe shkarkimin e Artan Lames si kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Berisha tha se ai u shkarkua pasi nuk firmosi për Portin e Durrësit.
“A e morët vesh ju? E shkarkoi atë Artan Lamen. Boll mëkate ka bërë ai, por një gjë e bëri, nuk firmosi për portin e Durrësit, sepse është një vjedhje e tmerrshme, sepse i jepet klanit të Edi Ramës dhe Alabarit 820 mijë metra katrorë, sepse jepet porti mijëra vjeçar për t’u bërë Edi Rama sheiku i Dubait, në një kohë kur ai është pasuria numër 1 publike e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha bëri thirrje që më 14 Maj të votohet ndryshimi.
“A mundet të ecim në këtë mënyrë, sy-mbylltas? Besoj se nga secili prej nesh një thirrje e brendshme duhet të na ftojë, të votojmë ndryshimin. Hidhni pak sytë, në 10 vite a dini ju ndonjë investitor të madh që të ketë ardhur në Shqipëri? As edhe 1 i vetëm. Asnjë. Ja ku e keni. U ndërtua TAP projekti më i madh energjetik i Europës. Ju duhet ta dini se TAP-i është një projekt aktualisht me rëndësi më të madhe strategjike për Europën. Këtu në Dumre, TAP ka depozitat më të mëdha të ardhshme të gazit në rajon. Më tutje keni Devollin, kaskadën. U ndërtua Banja, Moglica, por Banja është kompleks hidroenergjetik, është kompleks energjetik dhe vaditës. U ndërtua vetëm e vetëm që të jetë furnizuesi më madhor vaditës në Shqipëri. A kanë shpenzuar këta një qindarkë për këtë? As edhe një qindarkë të vetme”, u shpreh Berisha.
Fraksion.com