“20 mijë Euro kush jep informacion për vrasësit në Don Bosko”
Familjarët e Fatjon Muratit dyshohet të kenë qenë objektiv i atentatit mbrëmjen e së dielës në zonën e Don Boskos, ku u humbi jetën 58-vjeçarja Mimoza Paja.
6 persona të tjerë mbetën të plagosur, mes të cilëve dhe Sahit Murati, xhaxhai i Fatjonit si dhe një 10-vjeçare, mbesë e viktimës që u gjend në momentin e ngjarjes pranë lokalit, ku punonte gjyshja e saj si banakiere.
Banorë të zonës, tregojnë momentet e para fill pas ngjarjes.
“U ngrit djali i trembur. Tha mami çohu, se ka ndodhur një vrasje. Kemi frikë të jetojmë tek shtëpia, ke frikë të punosh”, shprehet një qytetare.
“Moza ka qenë shumë fukara, e vuajtur”, shprehet një tjetër.
Dyshimet lidhur me objektivin e këtij sulmi, grupi hetimor i ka ngritur pasi ka rezultuar se në momentin kur është regjistruar ngjarja, në lokal ka qenë dhe i vëllai i Fatjon Muratit, së bashku me djalin e xhaxhait, Sahitit që mbeti i plagosur nga të shtënat.
“Sapo mbërritën përpara lokalit në pronësi të Fatjon Muratit me automjetin tip BMW, 2 nga autorët zbritën nga makina dhe qëlluan nga jashtë në drejtim të bar kafesë”, raporton gazetari Merin Maçi.
Pasi qëlluan për të paktën 17 herë në drejtim të lokalit, autorët që dyshohet të ishin 3 persona, 2 në rolin e qitësit dhe 1 shofer u larguan nga vendngjarja.
Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.
Në këtë fshat, në zonën e quajtur ‘Ura e Sul Meres’, policia gjeti makinën e përdorur në krim, një BMW, që rezulton e vjedhur në Durrës më 14 Mars të 2021. Në brendësi të saj u gjeten edhe 3 armë zjarri automatike.
Deri në këtë fazë këto prova duket se janë shumë pak për të rënë në gjurmët e atentatorëve, ndaj policia njoftoi një shpërblim prej 20 mijë Eurosh për këdo që jep informacion për autorët e vrasjes.
Policia dyshon se ngjarja është pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale ku dyshohet se bën pjesë dhe pronari i lokalit, Fatjon Murati.
Ky i fundit rezulton me precedent të mëparshëm kriminal, pasi më 8 Tetor të vitit të shkuar u arrestua nën akuzën se dispononte një arsenal armësh që policia gjeti më 13 Korrik në dy apartamente në periferi të Tiranës.
Fillimisht Murati u la në burg, por arriti të fitojë lirinë, pasi Gjykata e Tiranës, i zëvëndësoi masën duke e lënë në ‘arrest shtëpie’. Megjithatë as kjo masë duket se nuk u zbatua prej tij, pasi policia njoftoi se mbrëmjen e së dielës ai nuk u gjet në banesë. Kontakti i fundit me të, sipas policisë, ishte më 7 Mars, datë pas të cilës ai dyshohet se është larguar jashtë vendit.
Fraksion.com