AktualitetPolitikëTë fundit

Këlliçi me banorët e zonës së 5 majit: Dëmshpërblim për të gjithë banorët që Veliaj u ka shembur shtëpitë

“Dëmshpërblim për banorët që Erion Veliaj u ka shembur shtëpitë” ishte ky premtimi i kandidatit të ‘Rithemelimit’ për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.

“Unë Belind Këlliçi, para jush po ju them që do të dëmshpërblej gjithë banorët të cilëve Erion Veliaj u ka prishur shtëpitë, me vlerën e tregut pa diskutim. Nuk jeni vetëm ju, kjo ka ndodhur në Shkozë, Laprakë, Unazë të Re, Myslym Keta dhe këto shembje bëhen për t`ju vjedhur pronën qytetarëve.

Ajo që ka ndodhur këtu në “5 maj” është në kufijtë e genocidit. Nuk mundesh t’u shkosh qytetarëve të tu me gaz lotsjellës, t`i terrorizosh në mes të natës, të nxjerrësh fëmijët nga shtëpitë në mes të rrugës”, u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Në zonën e “5 majit” Belind Këlliçi premtoi auditim të hollësishëm në Bashkinë Tiranë.

“Unë prokuror dhe gjyqtar nuk marr përsipër të jem por që në atë bashki do të bëhet një audit i plotë i lejeve të ndërtimit, punëve publike, kontratave dhe inceneratorit të Tiranës, këtë ta jap premtim publik.  Për inceneratorin të gjithë ne paguajmë 80 mijë euro në ditë, për një shërbim që nuk kryhet. Që do të mbajë përgjegjësi bashkia e ata që kanë firmosur, këtë ta garantoj. Me Këtë kryetar bashkie dhe me këtë kryeministër nuk rrezikoni vetëm ju. Këta i kanë vënë syrin gjithë Tiranës për t`iu grabitur pronën qytetarëve. Ky shqetësim që keni ju është prezent në të gjithë qytetin”, u shpreh Belind Këlliçi.

Kandidati për Bashkinë e Tiranës premtoi se zona e 5 Majit do të zhvillohet e nuk do të jetë më një provincë siç e cilësuan vetë banorët.

 

Fraksion.com