Rama: Fishat e diabetit, falas për të moshuarit mbi 65 vjeç
Krahas fëmijëve dhe të rinjve deri në moshën 25 vjeç, përgjatë këtij viti, rimbursimi i fishave të diabetit do të ofrohet edhe për të moshuarit.
Kryeministri Edi Rama deklaron se fishat për matjen e diabetit do të jenë janë falas për të moshuarit mbi 65 vjeç.
Në një postim në rrjetet sociale Rama shprehet se në këtë mënyrë gjysheve dhe gjyshërve u kursehet të paktën 1 pension mujor në vit.
Nga vendimi i qeverisë i miratuar në datën 1 shkurt, mbi 50 mijë të moshuar mbi 65 vjeç përfitojnë fishat e diabetit falas.
Sipas këtij vendimi, kompanitë importuese do të sigurojnë dhënien falas të aparateve për matjen e glicemisë, si dhe të gjilpërave shpuese për çdo përfitues të fishave të diabetit.
Ndërsa fëmijët dhe të rinjtë deri në 25 vjeç që vuajnë nga diabeti, mund të tërheqin 2 herë në vit sasinë e plotë të fishave falas për matjen e glicemisë, duke i kursyer çdo familjeje 12 mijë lekë të reja në muaj.
Për të lehtësuar pacientët, fishat e diabetit mund të tërhiqen për 6 muaj, duke ju shkurtuar rrugëtimin pacientëve, të cilët paraqiten vetëm dy herë në vit pranë QSUT ose spitaleve rajonale të zonave ku ata jetojnë.
Procedura e rimbursimit të fishave për matjen e glicemisë fillon tek mjeku i familjes ku pacienti tërheq formularin për rimbursim dhe më pas paraqitet në farmacitë e rimbursimit, të cilat ndodhen në çdo spital rajonal dhe në spitalin universitar “Nënë Tereza” në Tiranë.
Një tjetër vendim i rëndësishëm që ka lehtësuar pacientët me diabet është ai i konsultave të specializuara online, nëpërmjet sistemit të Telemjekësisë.
Me këtë sistem, pacientët nga rrethet nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për konsultën për përfitimin e penave të insulinës falas, duke siguruar shërbim afër vendbanimit dhe kujdes shëndetësor në kohë dhe me cilësi.
Fraksion.com