“Rama është i fokusuar në politikën ndërkombëtare, nuk ka frikë nga zgjedhjet lokale”
Nga Dritan Hila
Pse Rama nuk ka frikë nga zgjedhjet lokale?
Rama nuk i ka frikë fare sepse nuk shikon ndonjë rrezik real. Përballë ka një Berishë i cili nuk pranon të bashkojë edhe ato copat të PD-së.
Berisha investon te një aleancë me Vangjel Dulen, i cili deri në një prove të dytë është një parti e mbaruar. Në koalicion Berisha ka ftuar edhe personazhe që deri dje i tallte, ata që zëvendësuan në parlament demokratët që dolën. Pra kemi një shthurje totale të frontit opozitar.
Që Rama nuk e ka frikë duket edhe në faktin qe po bën një muaj që është në udhëtime jashtë shtetit, në Itali, Japoni, në Mal të Zi, në Gjermani.
Rama është i fokusuar në politikën ndërkombëtare. Madje do të thosha jo në atë të domosdoshme.
Rama i ka nervat e qeta sa i përket përplasjes. Duhet thënë se në politikën ndërkombëtare, Rama ka ditur të luajë bukur. Jo vetëm për faktin se është treguar një bashkëbisedues i urtë, një njeri që nuk sjell probleme në Ballkan, por duket si një njeri që po mbyll një armiqësi shumëshekullore te shqiptarëve me serbët. Është akoma me i pëlqyeshëm kur në krahun përballë, atë të opozitës është Berisha non-grata nga SHBA, që është një damkë e madhe.
Rama nuk i ka problem zgjedhjet lokale.
E vetmja enigmë për Ramën është sa e thellë do të jetë fitorja.
A është një lajm i mirë ky për Ramën? Po. A është një lajm i mire për shqiptarët? Jo.
Vendit i duhet një opozitë e fortë. Të paktën në pushtetin lokal ka figura të opozitës të cilat mund të bëjnë ndryshimin, të sjellin diçka të re, sepse u bënë 8 vjet që qeverisin socialistët në shumicat e bashkive. Dhe kjo do sillte një frymë të re dhe do ngjallte besimin tek aradhet e së djathtës, që ka shpresë edhe në zgjedhjet e lokale./Dritare.net
Fraksion.com