Me 200 km/orë, aksidenti në mbikalimin e Saukut: Njëra nga viktimat kishte studiuar për Gazetari
Njëra nga viktimat e aksidentit në Tiranë, Sikela Perroj 23 vjeçe ishte nga Shalësi i Cërrikut.
Familja e saj jeton jashtë dhe kishte mbaruar shkollën për Gazetari në Tiranë dhe vazhdonte të jetonte atje.
Si ndodhi aksidenti tragjik?
Automjeti tip “Audi” me drejtues 20-vjeçarin Klevis Ruçaj, me dy vajza pasagjere në makinë, ka qenë duke udhëtuar në unazën lindore me drejtim lëvizje nga Farka për te rrethrrotullimi pranë një qendre tregtare. Por, për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, mjeti nuk u fut në rrethrrotullim por u përplas me barrierat anësore duke i çarë ato e duke përfunduar disa metra më poshtë ku u përplas me një mjet tjetër për po udhëtonte drejt Elbasanit, një automjet tip “Honda”, me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.
Dy vajzat pasagjere humbën jetën në vendngjarje, ndërsa pas disa orësh betejë për jetën në spital, ndërroi jetë edhe shoferi 20-vjeçar. Të plagosur kanë mbetur dhe drejtuesi i “Honda-s” dhe dy pasagjerët e tjerë.
Nga matjet e kryera në terren nga ekspertët ka rezultuar se “Audi” udhëtonte me një shpejtësi mbi 200 km në orë dhe shenjat e para të frenimit i ka pasur vetëm 27 metra larg rrotullimit duke mos pasur asnjë mundësi për shmangien e këtij aksidenti të rëndë.
Kjo zonë edhe më herët ka pasur problem për sa i përket aksidenteve me pasoja kryesisht të mjeteve që udhëtonin nga Elbasani në Tiranë. Këto aksidente sollën edhe nevojën për të rindërtuar rrugën duke krijuar këtë rrethrrotullim që sërish nuk i shmangu aksidentet.
Fraksion.com