AktualitetTë fundit

Hidhet në erë me tritol banesa e Skënder Likës në Laç. Pronari i lidhur me vrasje e histori hakmarrje

Një shpërthim i fuqishëm me tritol ka tronditur Laçin në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mësohet se rreth orës 03:20 të kësaj të premteje një sasi e konsiderueshme e lëndës plasëse ka shpërthyer në banesën e Skënder Likës, në Sanxhak të Laçit.

Për shkak të shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, jo vetëm në banesën e Likës por edhe në shtëpitë e fqinjve të tij.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, por ende nuk dihen motivet përse u tentua të hidhej në erë banesa.

Sa i përket të zotit të saj, Skënder Lika është babai i autorit të vrasjes së biznesmenit Rakip Roli dhe ka qenë po ashtu i arrestuar dhe akuzuar se ka qenë i përfshirë në ngjarjen me protagonist të birin e tij Llej Lika.

Po ashtu Skënder Lika është xhaxhai i Ilir Likajt (Xhepajt), i arrestuar për vrasjen e dy biznesmenëve në një hotel në Mamurras, përkatësisht të shtetasve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika (ky i fundit pa lidhje farefisnore me autorin e vrasjeve).

Fqinjët e Skënder Likës: Menduam se ishte tërmet! Na janë dëmtuar shtëpitë

Fqinjët e Skënder Likës, banesës së cilës i vendosën tritol mëngjesin e sotëm në Sanxhak të Lezhës, e përshkruajnë shpërthimin si shumë të tmerrshëm. Ato e krahasojnë me një tërmet të fuqishëm, ndërsa dëmet në banesën e tyre janë shumë të mëdha.

‘Shpërthimi ka qenë shumë i frikshëm shumë i tmerrshëm. Ne ishim në gjumë, e kemi dëgjuar! Si tërmet i fuqishëm. Kur kam dalë jashtë kam menduar se ishte tërmet. Dëmi është kolosal. E kemi pasur ballë për ballë shtëpinë.’- tha një tjetër.

‘Nga ora 3 e gjysmë. Kur dola mendova se ishte ndonjë termet. Dolëm të gjithë! Pashë pastaj policinë, i kanë vendosur tritol kushëririt tim. Ja ka çarë murin atje. U frikësuam shumë. Kam dalë me vrap duke ikur nga frika. Çatia më ka dalë nga shtëpia. Kam biznesin çdo gjë na është thyer.’- u shpreh një nga fqinjët.

 

Farksion.com