“Bandat kriminale nuk vendosin se kush vjen në vendin tonë”, Britania dhe Franca bashkëpunim kundër imgracionit të paligjshëm
Britania do t’i paguajë Francës 480 milionë paund (577 milionë dollarë) gjatë tre viteve të ardhshme, si pjesë e një përpjekjeje për të ndalur rrjedhën e emigrantëve që udhëtojnë me varka të vogla përmes kanalit të Lamanshit. Këto fonde do të ndihmojnë për financimin e patrullimeve të zgjeruara, përdorimin e dronëve dhe të një qendre paraburgimi.
Në një takim të nivelit të lartë që synonte ripërtëritjen e marrëdhënieve pas disa vitesh përplasje, lidhur me Brexit-in, Kryeministri britanik Rishi Sunak dhe Presidenti francez Emmanuel Macron thanë se të dyja palët kishin rënë dakord të bashkëpunonin më ngushtësisht.
Kryeministri Sunak e ka bërë ndalimin e varkave me imigrantë një nga pesë përparësitë e tij pasi numri i emigrantëve që mbërrijnë në bregun jugor të Anglisë u rrit në më shumë se 45,000 vitin e kaluar, ose 500% në dy vitet e fundit.
“Është koha për një fillim të ri“, tha zoti Macron.
Si pjesë e marrëveshjes së re, Britania do të ndihmojë në financimin e një qendre paraburgimi në Francë, ndërsa Parisi do të vendosë më shumë personel francez dhe teknologji të përmirësuar për të patrulluar brigjet e saj. Oficerët nga të dy vendet do të bashkëpunojnë gjithashtu me vendet ku kalojnë rrugët e përdorura nga trafikantët.
Financimi do të bëhet me këste. Franca do të rrisë gjjithashtu fondet e veta në këtë drejtim.
“Emmanueli dhe unë ndajmë të njëjtat bindje“, tha zoti Sunak. “Bandat kriminale nuk duhet të vendosin se kush do të vijë në vendin tonë. Brenda disa javësh nga ardhja ime në detyrë, ne ramë dakord për marrëveshjen më të madhe lidhur me varkat e vogla (të emigrantëve), dhe sot e kemi ngritur bashkëpunimin tonë në një nivel të paprecedentë për të trajtuar këtë sfidë të përbashkët“.
Lidhjet mes dy vendeve kanë qenë shpesh të vështira që kur Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian në vitin 2016, por janë forcuar nga mbështetja e tyre për Ukrainën që kur filloi agresioni i Rusisë.
Presidenti Macron e priti Kryeministrin Sunak në pallatin Elize dhe të dy u përshëndetën ngrohtësisht me njëri-tjetrin.
Zoti Sunak, i cili e mori detyrën në tetor, shpreson të përfitojë nga ripërtëritja e vullnetit të mirë me Francën dhe më gjerësisht me Bashkimin Evropian pas arritjes së një marrëveshjeje të re me bllokun që synon të rregullojë problemet tregëtare me Irlandën e Veriut të krijuara nga Brexit.
Po këtë muaj, edhe mbreti Charles do të udhëtojë në Francë në vizitën e tij të parë shtetërore si monark.
Fraksion.com