Shtrohet në spital pas rrëzimit në një hotel në Uashington, kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell
Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, pësoi një goditje në kokë pasi u rrëzua në një nga hotelet e Uashingtonit. Ai do të qëndrojë në spital për disa ditë, nën mbikëqyrjen dhe trajtimin e mjekëve tha një zëdhënës i tij të enjten.
Senatori nga Kentaki, 81 vjeç, po darkonte të mërkurën në mbrëmje në kuadër të një aktiviteti të Fondit për Udhëheqësi të Senatit, një organizatë me qasje konservatore, kur u pengua dhe ra. Darka po mbahej në hotelin ‘Waldorf Astoria’ në Uashington, i njohur dikur me emrin Trump International Hotel.
Zëdhënësi, David Popp tha se zoti McConnell është nën mjekim dhe se ai “u është mirënjohës mjekëve për kujdesin e treguar dhe kolegëve të tij për urimet e tyre të ngrohta”. Zyra e zotit McConnell nuk dha detaje shtesë mbi gjendjen e tij shëndetësore, ose se për sa kohë mund të mungojë në Senat.
Disa senatorë thanë sot se ndihmësit e zyrës së zotit McConnell u kishin dhënë atyre informacion mbi shëndetin e tij. Senatori i Jutas, Mitt Romney, tha se “ai ishte mirë, dhe se ndihej mirë, por kishte pësuar goditje në kokë”.
Në një mesazh në Twitter Presidenti Joe Biden i uronte zotit McConnell “shërim të shpejtë” ndërsa shprehej se mezi priste ta shihte atë sërish në Senat.
Sipas një parashikimi që bëri zoti Romney, Senatori McConnell do të qëndrojë në spital gjatë fundjavës e do të kthehet në Senat javën e ardhshme.
Por goditjet në kokë mund të shkaktojnë lëndime serioze dhe kërkojnë kohë për rikuperim. Shumë shoqata sportive profesioniste janë përqëndruar në rrezikun e lëndimeve të përsëritura të kokës. Edhe një incident i vetëm i kësaj natyre, mund të kufizojë aftësitë e një personi ndërsa merr veten.
Në vitin 2019, udhëheqësi i republikanëve u pengua dhe ra në shtëpinë e tij në Kentaki, duke pësuar një frakturë në shpatull që kërkonte operacion. Në atë kohë Senati sapo kishte filluar pushimet verore dhe ai punoi nga shtëpia për disa javë dërisa u shërua.
I zgjedhur për herë të parë në vitin 1984, në janar me mbledhjen e legjislaturës së re të Kongresit zoti McConnell u bë udhëheqësi më jetëgjatë i Senatit, duke thyer rekordin e mëparshëm që mbahej prej 16 vitesh./voa
Fraksion.com