Sekuestrohet shumë e madhe parash të padeklaruara në portin e Durrësit
Policia ka finalizuar operacionin “Shuma”, falë inteligjencës informative të siguruar nga strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Operacioni u realizua nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Falë këtij operacioni Policia sekuestroi 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik dhe vuri në pranga drejtuesin e kamionit që transportonte paratë.
Ky është rasti i 5-të i tentativës për futjen e shumave të mëdha të parave të padeklaruara, i goditur nga Policia e Shtetit, gjatë muajve të fundit.
Gjatë kontrollit të detajuar, në vijën e dytë, në kamionin që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesit/sve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Fraksion.com