Qeveria gjermane rishikon përfshirjen e Huawei në rrjetin 5G
Mundësia për ta ndaluar mund të shtrohet si opcion, njoftohet në media. Një zëdhënës i qeverisë gjermane hodhi poshtë pretendimin, ndërsa Kina tha se ishte “shumë e pakënaqur”.
Qeveria gjermane njoftoi një rishikim të sigurisë në të gjithë komponentët kritikë të rrjeteve të telefonisë celulare të vendit të ofruara nga prodhuesit kinezë Huawei dhe ZTE. Ministria e Brendshme tha në një letër se e konsideron të mundshme që komponentët mund të dëmtonin rendin dhe sigurinë publike në Gjermani, sipas raportimeve në media. Sipas letrës, të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me sigurinë që tashmë janë të instaluara në rrjet do të kontrollohen.
Qeveria gjermane ‘ende’ nuk i ka ndaluar disa komponentë, thotë zëdhënësi
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme konfirmoi, se qeveria gjermane po kryen një rishikim të përgjithshëm të furnizuesve të teknologjisë së telekomit.
Asnjë operator ende nuk e ka të ndaluar të përdorë komponentë të caktuar nga kompanitë kineze në rrjetet e tyre 5G, tha zëdhënësi.
“Ndryshimi kryesor është se këto kontrolle të rrepta për rreziqet e mundshme të sigurisë tani zbatohen edhe për komponentët ekzistues në rrjetet e telekomunikacionit”, tha zëdhënësi, duke shtuar se operatorët nuk do të kompensohen për pjesët që duhet të hiqen nga rrjeti dhe të zëvendësohen.
Kina ‘shumë në mëdyshje’ lidhur me raportet për ndalimin
Ambasada kineze në Gjermani e kritikoi këtë masë, duke i bërë thirrje përmes deklaratës së publikuar të marten (07.03.2023) Berlinit që të dëgjojë “zërat racionalë”.
Pekini është “shumë i befasuar dhe shumë i pakënaqur me vendimin e nxituar”, nëse njoftimet për një ndalim të mundshëm janë të vërteta, tha ambasada.
Ambasada shtoi, se një veprim i tillë do të ishte pa “bazë faktike” dhe tha se qeveria gjermane duhet të dëgjojë “zërat racionalë”.
Kompanitë përjashtojnë çdo spekulim politik
Tre nga operatorët gjermanë të rrjetit të telefonisë celulare, Deutsche Telekom, Vodafone dhe O2, instaluan komponentë Huawei në të ashtuquajturin rrjet antenash.
Me rishikimin, qeveria gjermane thuhet, se përjashton mundësinë që Kina të ketë akses më të madh në rrjetet e telefonisë celulare.
Një zëdhënës i Telekom tha, se ata “nuk janë të përfshirë në spekulime politike”.
Një zëdhënës i Vodafone bëri komente të ngjashme, duke theksuar, se ato “përputhen gjithmonë me standardet dhe ligjet përkatëse”.
Edhe Telefonica, operatori i O2, bëri komente të ngjashme. Një zëdhënës i kompanisë tregoi, se do të nevojitet kohë e mjaftueshme nëse një komponent duhet të përjashtohet nga rrjeti.
SHBA pretendon se teknologjia kineze 5G mund të përdoret për spiunazh
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin paralajmëruar prej kohësh Gjermaninë kundër përfshirjes së Huawei në rrjetin celular të vendit.
Disa vende, duke përfshirë SHBA-në dhe Kanadanë, e kanë përjashtuar tashmë teknologjinë e rrjetit nga Huawei dhe ZTE nga tregjet e tyre.
SHBA kanë pohuar, se Kina mund të përdorë teknologjinë 5G të Huawei për spiunazh. Huawei i ka hedhur poshtë akuzat. /DW
Fraksion.com