AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Rama lojë për të mos lejuar PD-në të futet në zgjedhje

Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, “Edi Rama, me dy pengje të veta, hyri në një lojë makbethiane për të mos lejuar PD-në që të marrë pjesë në zgjedhje, sepse e di që është i humbur”.

“I them çdo demokrati, i bëj thirrje në mënyrë më miqësore; të mendojë, koha është të bashkohemi sot më shumë se kurrë në fitore. Koha është të denoncojmë Edi Ramën dhe veglat e tij, si armiq të egër të pluralizmit, të demokracisë të ardhmes së Shqipërisë.
Demokratet dhe demokratët që akoma nuk kanë bërë vendimin, janë të ftuar të mendojnë me qytetarët, me demokratët, me Shqipërinë apo me organizatën kriminale të Edi Ramës dhe pengjet e tij, brava-Basha, Basha-brava. Nuk ka”, u shpreh Berisha në një takim me demokratët në Lezhë.

“Ne jemi të bindur në zgjedhjen e tyre, mençurinë e tyre. Jemi të bindur se çdo ditë bashkimi ynë do të bëhet më i fuqishëm, se orteku elektoral i kësaj pranvere do të njohë fitoren më të shkëlqyer, disfatën më të thellë të Edi Ramës, të klikës së Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale”, tha ai.

Berisha më tej theksoi se, “nuk ka forcë në botë që na pengon ne të marrim pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato. Sot në shumicën e familjes së shqiptarëve troket varfëria, në një pjesë tjetër, mjerimi. Të gjitha këto janë të qëllimshme”, tha ai.

Berisha theksoi se në 8 vite në pushtet, PD-ja duke rritur borxhin nga 58% në 62.6%, pra 4.6% borxh, arriti të dyfishojë rrogat e qytetarëve.

“Por, ai ishte qëllimi më madhor i saj, sepse në qoftë se qytetarët jetojnë më mirë, vendi bëhet më i dashur, më i mirë, më i besueshëm për ata dhe fëmijët e tyre. Dhe ata e meritojnë plotësisht. Me ato të ardhura dhe atë borxh, ndërtuam dhe asfaltuam 11 mijë km rrugë, shkurtuam distancat. Gjirokastrën në dy orë, Kukësin, në 1 orë e 30 min, Elbasanin në 15 minuta. Ne pra po transformonim vendin”, tha ai.

Sipas tij, “në 8 vite, vetëm me rritjen e borxhit 4% ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla e kopshte, qindra qendra shëndetësore dhe spitale”.

“Çfarë ndodhi në 10 vitet që erdhën pas? Borxhi është rritur jo 4.6 %, por nga 62.6% në 107 %, është rritur 43%. Po rrogat sa u rritën? Çdo shqiptar, pensionist merr sot për shkak të rritjes së çmimeve nga 2014 e deri më sot, merr së paku 30% më pak sesa blinte me rrogën e tij në vitin 2013. Ai ishte kjo pamundësi, absolutisht jo. Ishte qëllim, qëllim dhe vetëm qëllim”, tha ai.

 

Fraksion.com