Takimi Kim-Meta; Kreu i PL: Diskutuam për situatën e rëndë të krijuar në Parlament dhe bllokimin antikushtetues
Sot Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta priti në një takim Ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim.
Në takim, Meta nënvizoi në mënyrë të veçantë situatën shumë të rëndë të krijuar në Parlamentin e Shqipërisë, për shkak të bllokimit antikushtetues dhe të paligjshëm nga ana e qeverisë.
Bllokimi i Komisioneve Hetimore, interpelancave dhe një serie projektligjesh të propozuara nga Partia e Lirisë, por edhe nga partitë e tjera të opozites, do të thotë rrëmbimi defakto i Parlamentit nga Qeveria, duke synuar asgjësimin e kontrollit mbi qeverisjen si dhe bllokim i adresimit në Kuvend të shqetësimeve shumë të mëdha të qytetarëve në lidhje me qeverisjen, e veçanërisht më korrupsionin.
Meta theksoi gjithashtu shqetësimet e shumta, të ngritura edhe nga organizata jofitimprurëse, mbi përdorimin skandaloz të administratës shtetërore, financimeve të buxhetit të shtetit, por dhe veprimtari të tjera klienteliste, në funksion të manipulimit dhe shitblerjes së votës, që lidhet drejtpërdrejtë me zgjedhjet e 14 Majit.
Meta përshëndeti në mënyrë të veçantë angazhimin e fokusuar të DEA-s në Shqipëri, lidhur me veprimtarinë e narkotrafikut dhe problemet kritike që lidhen me të, si një hap i duhur dhe i shumëpritur.
Gjithashtu ai vuri në dukje se korrupsioni galopant dhe endemik vetëm se po thellohet dhe nuk ka asnjë përmirësim apo ndryshim të situatës, se ka një rëndim të mëtejshëm të gjendjes lidhur me pastrimin e parave, narkotrafiqeve dhe veprimtarisë kriminale në vend, gjë e cila ka sjellë një rëndim të situatës së rendit publik dhe të qetësisë së qytetarëve.
Meta konfirmoi vullnetin e palëkundur të Partisë së Lirisë për të kontribuar për zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve europiane, që do t’i jepnin fund monizmit në pushtetin lokal, si dhe këmbënguljen e Partisë së Lirisë për denoncimin në të gjitha nivelet, të korrupsionit qeveritar dhe lokal.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehu falenderimin e veçantë për mbështetjen e pakursyer që institutet amerikane IRI dhe NDI kanë ofruar vazhdimisht për rritjen e kapaciteteve të liderëve të rinj dhe grave të Partisë së Lirisë.
Fraksion.com