“S’duam lule, por drejtësi!”, gratë dhe vajzat protestë në 8 Mars: Shteti ka dështuar në ndaljen e dhunuesve dhe vrasësve
Gratë dhe vajzat në Tiranë nuk pritën vetëm dhurata e buqeta me lule në këtë 8 Mars, por zgjodhën të dalin në shesh për të marshuar për të drejtat e tyre. Dhjetëra këpucë të kuqe, për të dytin vit radhazi, u vendosën në sheshin “Nënë Tereza”, si protestë dhe kujtim i të gjitha grave që kanë humbur jetën prej dhunës.
Me pankartat në duar, ‘S’duam lule, duam të drejtat’, ‘Beso te vetja’, ‘Ti ke lindur nga një grua’, ‘Bota jemi ne’, gratë e LDGSH dhe aktiviste të shoqërisë civile kanë protestuar para kryeministrisë dhe në ‘Sheshin Nënë Tereza’, ndërsa këto pankarta i lanë në shkallë si një mesazh për kryeministrin Edi Rama.
Nën moton “Protestojmë për të drejtat tona”, gratë dhe vajzat e LDGSH marshuan nga Kryeministria në drejtim të institucioneve të tjera, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Pak më pas, një protestë u mbajt edhe nga gratë e shoqërisë civile, një manifestim në këtë 8 mars për të kërkuar më shumë të drejta e mbështetje nga qeveria. Gratë njëzëri thanë se sistemi i drejtësisë ka dështuar t’i mbrojë ato nga vrasësit.
“Po na i marrin të dashurat tona, edhe pse vrasjet e tyre janë të paralajmëruar për shtetin, policinë e gjykatat. Jemi lodhur duke jetuar në një shoqëri ku caktua nuk janë të sigurta, sistemi ligjor ka dështuar të na mbrojë”, tha një protestuese.
Kjo protestë vjen pak ditë pasi tre gra të pafajshme, Mevlute Hysa, Hasime Dafku dhe Etleva Kurti u vranë nga Dan Hutra, i cili i qëlloi me breshëri kallashnikovi dhe plagosi dy gra të tjera. Në protestë u kërkua drejtësi edhe për vdekjen e 22-vjeçares Joy Ayoko, vrasja e së cilës është ende pa autor. ‘Vrasësi i saj është ende i lirë’ thanë protestueset, ndërsa kërkuan që drejtësia të vihet në vend për të renë e cila u dhunua barbarisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës së saj në Tiranë.
“Drejtësi për Joy. Vrasësi i saj endet i lirë nëpër rrugë”, tha Xheni Karaj.
Gratë marshuan nga Sheshi ‘Nënë Tereza’, u ndalën para Kryeministrisë, para Bashkisë së Tiranës dhe më pas në Ministrinë e Drejtësisë, ku kërkuan që të hiqet gjykimi i shkurtuar për veprën penale të dhunës në familje. Protestë pati edhe në Durrës dhe Elbasan.
Gjatë vitit 2022 e deri më 8 mars 2023 në vendin tonë vrarë 12 gra. Vetëm në vitin 2022 janë dhunuar 3.676 vajza dhe gra, prej tyre 2.206 kanë përfituar urdhër mbrojtjeje.
Fraksion.com