AktualitetTë fundit

Për gruan time – Një jetë kushtuar familjes dhe arsimit!

Nga Agron Goga

 

Sot është 7 Marsi, dita e mësuesit, dita e profesionit fisnik, që Ti, i kushtove jetën, me mish e me shpirt.

Ndodh, që njeriu të jetojë gjatë, por duke mos lënë asnjë gjurmë në jetë harrohet shpejt. Por, mund të ndodhë edhe e kundërta. Njeriu mund të jetojë pak, por lë pas gjurmë me punën e tij. Per çudi, në të tilla raste, duket sikur njëriu i ka vënë detyrë vetes të sfidojë kohën e pamjaftueshme. Për të tillë njerëz, vitet kthehen thjesht në numra pa vlerë e të pa rëndësishëm. Ata e kuptojnë që kanë për të kryer një mison, brënda një limiti kohe të parashkruar nga fati. Historia njerëzore na e ka mësuar këtë gjë. Pra, e rëndësishme nuk është sa vite jeton, por sa gjurmë lë pas në jetë. Kjo e bënë njeriun të pavdekshëm e të mos harrohet kurrë.

Kështu ka ndodhur edhe me Elvirën, bashkëshorten time fisnike, nënën e përkushtuar të fëmijëve të mi, deri në sakrificë, mësuesen dhe pedagogen e apasionuar të matematikës, që jetën e shkurtër, ja kushtoi paralelisht familjes dhe arsimit.

Elvira, mësuesinë nuk e shikonte thjesht si një profesion për të marrë thjesht një rrogë, por si mision të rëndësishëm për edukimin e përgatitjen e brezave, të aftë për të përballuar sfidat e kohës, për t’u bërë qytetarë të denjë të cilët do të marrin në dorë fatet e vendit. Për këtë mision fisnik, ajo nuk lodhej kurrë së punuari, ndofta nga që ishte idealiste e lindur deri në fund të jetës

Elvira lindi në Tiranë, më 14 Gusht të vitit 1969, në një familje e thjeshtë me dy prindër punëtorë e të ndershëm, që kultivuan tek ajo dashurinë për njerëzit, por edhe dëshirën e pasionin për dijen.

Arsimin fillor e 8-vjeçar e ndoqi në shkollën “Osman Myderizi”, Tiranë, ku dallohej nga moshataret për prirjet e saj në shkencat ekzakte por edhe për dashurinë e pasionin për sportin e qitjes. Për disa vite u stërvit dhe u bë pjesë e ekipit “Studenti”. Siç duket, saktësia dhe precizioni ishte e përbashkëta që lidhte të dy pasionet e saj të herëshme, qitjes dhe matematikes. Asaj, gjatë gjithë jetës i pëlqente saktësia dhe korrektesa në gjithë veprimtarinë e saj.

Gjatë viteve 1983-1987, ndoqi studimet në gjimnazin “ Ismail Qemali”, Tiranë, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të larta.

Duke mos hequr dorë nga prirjet e saj për shkencat ekzakte, ajo ndoqi studimet në UT, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë, ne periudhën 1987 -1991, ku dhe u diplomua për këtë degë e duke marre të tre nivelet e Kualifikimit.

Në shtator të vitit 1991, fillon punë për herë të parë si mësuese e matematikës, në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë, ku menjëherë ra në sy mes kolegëve dhe drejtuesve të shkollës, për seriozitetin dhe angazhimin e saj në punë, duke fituar shumë shpejtë respektin e nxënësve. Aty pata fatin të njihesha e të dashurohesha me të.

Me mbylljen e Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, në shtator të vitit 1992, ajo emërohet Mesuese e Matematikës në gjimnazin “Ismail Qemali”, në shkollën ku kishte studiuar edhe vetë, per të cilin kishte një nostalgji e dashuri të veçantë.

Për gati 25 vjet, Elvira punoi me përkushtim, dashuri e profesionalizëm të lartë, duke nxitur tek nxensëit dashurinë për lëndën e Matematikës si dhe inkurajimin e tyre për shkencë e kulturë bashkëkohore

Ajo hyri në zemrat e nxënësve dhe ju dha atyre gjithë mbeshtetjen dhe impenjimin me thjeshtësine e saj, si mesuese, edukatore dhe prind, duke ju dhënë gjithmone këshilla e porosi të vlefshme,por dhe duke kërkuar prej tyre, atë që dëshironte dhe jepte edhe për fëmijët e saj, seriozitet, punë, vullnet, përkushtim e ndershmëri. Këto cilësi ajo konsidertonte si celës të sukesit ne jetë

Mësimdhënia ishte profesioni dhe pasioni i saj, për të cilin ajo investoi dhe i kushtoi gjithë jetën. I kushtoi kohë, energji, mund e sakrificë.

Në vitet 2009-2011,ndoqi studimet për Master të nivelit të Dytë për Matematikë Teorike pranë UT, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku arriti rezultate të larta.

Në vitin 2012 filloi Ciklin e Tretë të studimeve të Doktoraturës në programin Analizë dhe Algjebër. Në ketë kuadër, në vitin 2013 mori pjesë në Konferencën Shkencore në Elbasan, ku referoi studimin Shkencor mbi “Dimensionet fraktale”, i cili u vlerësua nga të pranishmit.

Me objektivat që i kishte vendosur vetes, falë këmbënguljes e pasonit, karakterit të fortë dhe personalitetit të spikatur,ajo ishte në luftë me kohën. Ecte me shpejt se koha, sikur ta parandjente që për të, koha ishte e limituar dhe për ironi te fatit, kishte filluar të numëronte mbrapsht.

Gjatë vitetve 2009-20017 ajo punoi si pedagoge e jashtme në UPT, Fakulteti Inxhinerisë Matematike dhe Inxhinerisë Fizike, për lëndën e “Analizës Matematike” dhe “Analizë Komplekse” duke fituar respektin e studentëve, kolegëve e drejtuesve të UPT për korrektesën dhe nivelin e lartë në mësimdhënie.

Gjatë vitetve 2009-2010 ajo u emërua me detyrë Inspektore e Matematikës, në DAR-Tiranë, detyrë që e kreu me shumë përgjegjshmëri.

Gjatë kësaj periudhe ajo ka qenë Hartuese tezash të Olimpiadës Kombëtare të Matematikës, faza e parë dhe faza e dytë në DART (Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë) si dhe Mentore për praktikat profesionale për lëndën e Matematikës.

Elvira, nuk hezitonte asnjëherë të thoshte të vërtetën edhe pse ishte e bindur që dikujt s’do i pëlqente.

Ajo,shprehte pa doreza shqetësimin që ky institucion, në jo pak raste ishte kthyer në një strehë, për qoka militiantësh partish, që nuk kishin lidhje me arsimin, për të cilën paguheshin nga taksapaguesit shqiptar.

Në vitin 2010 ajo u rkthye sërish si mësuese Matematike në gjimnazin e saj të dashur “Ismail Qemali”, ku punoi deri në fund të jetës së saj.

Elvira ishte një edukatore me kurajo të vecantë që nuk nguronte të ngrinte zërin me të drejtë dhe pa frikë, kur shikonte fenomene negative në arsim. Kritikonte dhe fliste pa ndrojë edhe ne rastet kur arsimi drejtohej nga njerez të pa aftë, mediokër, militantë partish, provincial në mendime e në mënyrën e komunikimit e të sjellurit pa etikë, njerëz që s’linin gur pa lëvizur deri sa të zinin një karrige drejtuesi e më pas, paaftësinë e tyre e kompensonin me arrogancë e propotencë me vartësit, dhe me servilizëm bajat deri në pështirosje me eprorët. Këta lloj drejtuesish për Elviren ishin të pa pranueshëm. Ajo ishte e drejtpërdrejte me zërin e saj dhe kishte guximin si pak kush t’jua thoshte në sy mendimin e saj kritik, në funksion të mbarëvajtjes së punës, ndaj e respektonin kolegët e nxënësit, por në jo pak raste e shikonin vëngër mediokrit e servilët.

Elvira ishte nga të rrallat që nuk bënte kompromise me mediokritetin, servilizmin bajat, pa aftësinë në punë edhe kur i bënin presion për të mbyllur gojën. Kështu ishte gatuar ajo, një zë i veçantë, e drejtë me të ndershmit, e rreptë me të padrejtët,servilet e të paaftët.

Dy fëmijët e saj, përfunduan shkëlqyeshëm gjimnazin “Ismail Qemali” dhe një pjesë e mirë e kolegëve nuk e dinin që fëmijët e saj ishin nxënës në këtë gjimnaz,sepse ajo kurrë nuk ndërhynte për privilegje e hatëre note, as për fëmijët e saj.

Kjo ishte Elvira, mësuesja e drejtë, bashkëshortja model, gruaja me vullnet të hekurt e karakter të fortë. Ndaj gëzonte respektin e nxënësve e kolegëve te saj.

Më 4 Shtator 2021, ajo mbylli sytë përgjithmonë, nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërureshme. Iku paqësisht nga kjo botë, ashtu siç edhe erdhi në jetë, duke lënë pas kujtimet e mira, por edhe një emër të mirë që lartëson figurën dhe profesionin e bukur e fisnik të mësuesit.

Elvira u nda shumë para kohe nga kjo jetë, por me gjurmët që ka lënë pas, ajo e ka sfiduar vdekjen dhe kohën njëkohësisht, prandaj do të kujtohet përherë me nderim, mirënjohje dhe respekt nga të gjithë ata që e kanë njohur. Unë, fëmijët, prindërit, familjarët, nxenësit, kolegët, miqtë dhe të afërmit ndjehemi krenar me emrin e saj çdo ditë të vititi,por veçanerisht në çdo 7 Mars!

Mirënjohje e respekt pafund për ty, Eli!

 

Fraksion.com