AktualitetPolitikëTë fundit

Kim: Shqipëri-SHBA, së bashku në përballimin e sfidave të sigurisë

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim e pranishme në panelin e “Sfidave të Sigurisë në Evropë”, vlerësoi Shqipërinë si aleate të denjë të SHBA.

“Për ne, për SHBA është një parim i qartë. Ne duam të jemi bashkë me vendet e tjera që besojnë si ne, që fëmijët tanë duhet të jetojnë në një botë të lirë, të hapur, të sigurt dhe që përparon. Dhe për ne nuk ka një aleat më të mirë se sa Shqipëria. Ne jemi krenarë t’ju kemi aleatë në NATO. Ne jemi krenarë të shohim përparimin tuaj në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ambasadorja Kim.

Duke kujtuar thënien e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu: “Bashkimi bën fuqinë”, ambasadorja tha se Shqipëria dhe SHBA duhet të qëndrojnë së bashku dhe ky është një komponent kyç në përballimin e sfidave të sigurisë në të gjithë botën.

“Është kënaqësi të shoh një audiencë të tillë të nderuar sot këtu me ne. Po mendoja për këtë pyetje: sfidat e sigurisë europiane, gratë, paqja dhe siguria. Siguria në Evropë nuk është thjesht një çështje e grave. Ajo përfshin gratë. Por nuk është thjesht për gratë. Dhe po mendoja për këtë. Në ç’botë dëshirojmë të jetojmë? Në ç’botë dëshirojmë që fëmijët tanë të jetojnë? Dëshirojmë të jetojmë në një botë ku vendet më të mëdha vendosin për ato më të voglat dhe në të cilën një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së shkel hapur normat e Kartës së OKB-së dhe pret të shpëtojë nga kjo? Dëshirojmë të jetojmë në një botë ku atë që ndodh brenda një vendi, një populli, liria e njerëzve të tij nuk mund të komentohet nga ne të tjerët?”, tha Kim.

Ajo theksoi se, “kjo nuk është bota ku unë dëshiroj të jetoj. Nuk mendoj se është bota ku ju dëshironi të jetoni. Nuk mendoj se është bota ku amerikanët dhe shqiptarët dëshirojnë të jetojnë”.

“Jemi para një sfide kritike në këtë moment kur shohim çfarë po ndodh në Evropë. Ka kaluar saktësisht një vit që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë. Dhe le të mos bëjmë gabime, Ukraina nuk ka pushtuar Rusinë. Nuk e di nëse keni parë një video kohët e fundit, të ministrit të Jashtëm rus Lavrov në Indi, e cila është përpjekur shumë të jetë e sjellshme ndaj Rusisë”, vijoi ambasadorja.

Kim shtoi se, “Lavrov shkoi në Indi dhe po fliste në një panel, ku guxoi të thotë se Rusia ka luftuar për t’i bërë ballë pushtimit të Ukrainës në Rusi. Ai po përpiqet të rishkruajë historinë. Mendoj se njerëzit këtu në Shqipëri e dinë më mirë se çdokush çdo të thotë të jesh nën një regjim ku udhëheqësit përpiqen të rishkruajnë historinë, ku ata thonë që e zeza është e bardhë dhe e bardha është e zeza”.

“Ju e dini, ata mendojnë se mund t’ju frikësojnë dhe t’ju bëjnë të ndryshoni faktet në mendjen tuaj. Kjo nuk është bota në të cilën dëshirojmë të jetojmë. Prandaj, përballë sfidave të sigurisë, cila është zgjidhja për ne, për Shtetet e Bashkuara? Është një parim i qartë që ne e respektojmë. Ne dëshirojmë të bashkohemi me vende të tjera që besojnë si ne – që ne dhe fëmijët tanë duhet të jetojmë në një botë që është e lirë, e hapur, e sigurt dhe e begatë”, përfundoi Kim.