Presidenti Begaj takohet sot me shefin e NATO-s, ja çfarë do të diskutohet!
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg, ditën e sotme, më 7 mars 2023, do të presë në selinë e NATO-s Presidentin e Shqipërisë, z. Bajram Begaj.
Në fokus të bisedimeve të tyre do të jenë zhvillimet strategjike dhe të sigurisë në krahun lindor të NATO-s dhe Ballkanin Perëndimor. Po ashtu edhe vijimi i mbështetjes për Ukrainën, angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO, si edhe pritshmëritë për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Vilnius, Lituani, në korrik të këtij viti.
Presidenti Begaj në këtë vizitë zyrtare do të shoqërohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralbrigade Arben Kingji dhe anëtarë të kabinetit të tij. Kjo është vizita e parë zyrtare në NATO e presidentit Begaj në cilësinë e Presidentit të Republikës.
Në përfundim të takimit, në orën 13:00, Begaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp./M.G
Fraksion.com