Kryeministri letonez pro dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë
Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, tha se është në favor të furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë.
Kështu i tha ai gazetës gjermane, Der Spiegel, duke shtuar “nuk e di pse vendet perëndimore nuk duhet t’i dorëzojnë Ukrainës avionë luftarakë”.
“Nëse ukrainasit kanë nevojë për avionë luftarakë, duhet t’i marrin ata”, tha ai. Sipas tij, “dorëzimi i avionëve luftarakë është vetëm çështje kohe”.
Gjatë vizitës së tij në Parlamentin britanik më 8 janar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin avionë luftarakë.
“Unë ju bëj thirrje juve dhe botës, me fjalët e thjeshta por të rëndësishme – avionë luftarakë për Ukrainën, krahë për lirinë”, tha ai.
Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania u shprehëm kundër kësaj kërkese.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.
Gjithashtu, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja nuk do të dërgojnë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë.
Por, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte.
Në janar, Gjermania u pajtua për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.
Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.
Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet që këtë muaj të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.
Fraksion.com