Argjentinë: Biznesi me gratë shtatzëna ruse
Prokuroria në Argjentinë zhvillon hetime kundër një rrjeti, që josh gratë shtatzëna ruse për të lindur atje.
Rreth 10.500 gra shtatzëna ruse kanë ardhur muajt e fundit përt të lindur në Argjentinë
Më të mirën për momentin më të rëndësishëm të jetës. Pse të mos e sjellësh fëmijën në jetë në Amerikën e Jugut, fare pa stres, të përgatitur më së miri dhe plotësisht të relaksuar? Për 3.500 dollarë, një shumë qesharakë për paketën standarde, 7.500 dollarë për paketën Relaks 24/7, apo për 15.000 dollarë për versionin luksoz me shofer, babysitter dhe kurs spanjishteje?
Për gratë shtatzëna ruse që ndeshin në faqen e internetit “ArgentinaFamily”, kjo ëndërr është e arritshme. Dhe sikur të gjitha këto të mos ishin sa duhet të mahnitshme, në faqen e agjencisë lexon edhe për fitoren shtesë: “Merrni një pasaportë të dytë, që në asnjë vend të botës nuk jepet kaq shpejt dhe që i mundëson të gjithë familjes suaj hyrjen pa viza në më shumë se 170 vende.”
Pronarja e agjencisë “ArgentinaFamily” është 26-vjeçarja ruse Elena Kuklina, me banim në Buenos Aires, e cila aktualisht ka probleme me drejtësinë argjentinase. Para pak kohësh hetuesit e kthyen përmbys apartamentin e saj luksoz me qira në lagjen e zgjedhur Puerto Madero në portin e Buenos Airesit dhe sekuestruan 66.920 dollarë, laptopë dhe celularë. Policia e kishte në vëzhgim atë që nga dhjetori. Nga njëra anë Kuklina thuhet se ka përfituar duke manipuluar me fondet publike, por mbi të gjitha duhet të ketë falsifikuar dokumente për hyrjen në vend të më shumë se 70 grave shtatzëna ruse. Agjencia e saj thuhet se ka dhënë informacione false mbi vendet e banimit, me qëllim që të jepej më shpejt nënshtetësia. Po zhvillohen hetime edhe lidhur me shitjen e certifikatave të lindjes dhe kartave të identitetit shtetasve rusë. “Është një biznes prej milion dollarësh”, thotë Florencia Carignano.
Pasaporta shumë e lakmuar argjentinase
Carignano është prej më shumë se tre vjetësh shefe e shërbimit të imigracionit në Argjentinë. Vetëm e qetë ajo nuk është, kur pyetet për makinacionet e rrjeteve si “ArgentinaFamily”. Rreth 10.500 gra shtatzëna erdhën në Argjentinë nga Rusia vitin e kaluar dhe për këtë vit parashikohet dyfishi i numrit. Gjë që në vetvete nuk do të ishte problem, thotë ajo sepse “kushdo që dëshiron të qëndrojë në vendin tonë është shumë i mirëpritur. Problemi është se shumë gra ruse nuk qëndrojnë këtu, ato thjesht marrin pasaportat dhe shkojnë në vende të tjera. Dhe ne më pas zbulojmë tre spiunë rusënë Slloveni me pasaportë argjentinase. Kjo është frika jonë.”
“Kohët e fundit ne kontrolluam 33 gra shtatzëna ruse, që kishin treguar si vendndodhjen e tyre një hotel me pesë yje dhe arritëm të gjenim gjithsej tri prej tyre”, thotë Florencia Carignano. Në kohën e agresionit rus kundër Ukrainës pasaporta argjentinase është në fakt si një lloj “jackpoti” për shumë rusë. Fëmijëve të lindur në Argjentinë u jepet automatikisht shtetësia argjentinase. Nëna dhe babai më pas mund të aplikojnë lehtësisht për shtetësi. Me “pasaportë” argjentinase ke mundësi të hysh pa viza në 171 vende. Gjë që ka vënë në lëvizje qeverinë amerikane, sepse kushdo që ka një pasaportë argjentinase mund të aplikojë për një leje qëndrimi dhjetëvjeçare në SHBA.
“Turistët e rremë” pengohen të hyjnë në vend
Dhjetë ditë më parë autoritetet argjentinase ua refuzuan fillimisht hyrjen gjashtë grave shtatzëna ruse. Florencia Carignano kujton: “Gratë, që mbërritën këtu në aeroport në javën e 33-të të shtatzënisë, ishin vetëm, nuk kishin para dhe as një fluturim kthimi të rezervuar”. Më pas policët u bënë disa pyetje. “Por ato nuk ishin në gjendje të na thonin as se ku donin të shkonin në Buenos Aires, apo cilin hotel kishin rezervuar, adresat nuk ishin të sakta ose nuk ekzistonin fare. Dhe për ne ishte e qartë, se kishim të bënim me „turistë të rremë”. Pra, ata nuk kishin ardhur këtu për turizëm.”
Në fakt nuk është e ndaluar, që gratë që hyjnë në Argjentinë të lindin aty, por për këtë kërkohet një vizë e posaçme. Shefja e shërbimit për emigracionin në Argjentinë thotë se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës para një viti, ata kanë pasur një profil të qartë të njerëzve, që migrojnë në Argjentinë: gra nga Rusia, shumë prej tyre shtatzëna, shpesh vetëm dhe me mjetet e duhura financiare për të marrë një leje qëndrimi. Me fluturime të linjave Turkish ose Ethiopian Airlines, Emirates ose KLM. Dhe një “paketë” të rezervuar me një agjenci, që garanton shtetësinë argjentinase në kohë rekord.
Prokuroria heton
Prokurori, që drejton hetimet për bandat kriminale të turizmit për arsye lindjeje, Federico Delgado, nuk mund të thotë asgjë për DW për procedimet që janë në vazhdim. Por Delgado e bën të qartë: “Hetimet tona ligjore në radhë të parë s´kanë të bëjnë me hyrjen e ardhshme të grave shtatzëna ruse, përderisa ato i plotësojnë kërkesat e autoriteteve për hyrjen në vend. Argjentina ashtu si me shumë vende të tjera, ka edhe me Rusinë një marrëveshje, që rregullon hyrjen për disa muaj”.
Për prokurorin nuk është vetëm perspektiva e një pasaporte, ajo që tërheq shumë gra shtatzëna ruse në Argjentinë. Vendi i Amerikës së Jugut e sheh veten edhe si një vend “krahë hapur”, si një vend klasik imigracioni ndryshe nga shumë vende të tjera të botës, me një histori të gjatë imigrimi në fillimin dhe mesin e shekullit të 20-të. Mbi të gjitha kujdesi mjekësor është i shkëlqyer.
“Sistemi shëndetësor shtetëror ashtu si dhe ai privat në Argjentinë janë shumë të mirë, saqë nuk kanë nevojë të kenë frikë nga krahasimi me Evropën Jugore. Kjo dhe fakti që Argjentina është shumë e lirë për ata, që mund të paguajnë me dollarë, shpjegon se përse kaq shumë gra nga ana tjetër e botës dëshirojnë të lindin këtu”.
Në metropolin milionësh Buenos Aires tetë spitale janë bërë pika kontakti për gratë shtatzëna ruse. Për shembull spitali publik dhe falas Fernández, ku vizitat mjekësore pacientet e reja janë rritur me 50 për qind në tre muajt e fundit. Ose spitali privat Sanatorio Finochietto, ku në dhjetor një ndër tre foshnje ka lindur nga prindër rusë. Florencia Carignano është e lumtur për nënat, por ajo po ashtu thotë: “Nuk mund ta kthejmë vendin tonë në shtëpi lindjeje për të gjithë botën”./DW
Fraksion.com