Presidenti Biden dhe kancelari Scholz nënvizojnë unitetin transatlantik në mbështetje të Ukrainës
Ruatja e unitetit transatlantik në mbështetje të Ukrainës dhe diskutimi mbi mundësinë që Pekini të furnizojë me armë Rusinë ishin dy çështjet kryesore në agjendën e takimit mes Presidentit Joe Biden dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një ditë më parë, ndërsa në Evropë ka qëndrime të pakta kundër luftës në Ukranë, por të cilat po shtohen dhe në periudhë afatgjatë mund të rrezikojnë frontin e bashkuar kundër Moskës.
Vizita e kancelarit Scholz në Shtëpinë e Bardhë nuk u shoqërua me ceremoni zyrtare. Presidenti dhe kancelari nisën menjëherë bisedimet duke përçuar imazhin se dy aleatët kryesorë të NATO-s janë në të njëjtën linjë në përpjekjet për të frenuar ambiciet e Presidentit Vladimir Putin për zgjerim të territorit.
“E kishim bërë të qartë se nëse ai vepronte, ne të dy do të reagonim. Dhe së bashku e mbajtëm atë premtim,” tha zoti Biden, duke falënderuar kancelarin për “udhëheqjen e tij të fortë dhe të qëndrueshme” që solli “ndryshime historike” brenda vendit, përfshirë shtimin e shpenzimeve ushtarake nga Gjermania si edhe vendimet për të gjetur burime të tjera energjie, duke anashkaluar kështu Rusinë.
Pas Uashingtonit, Berlini ka dhënë mbështjetjen më të lartë financiare ndaj Ukrainës, duke ndihmuar Kievin dhe refugjatët ukrainas me 15 miliardë dollarë, që nga nisja e sulmit rus.
“Në këtë moment, është e rëndësishme të përçojmë mesazhin se do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për sa kohë të jetë e nevojshme”, tha zoti Scholz.
Zoti Biden dhe zoti Scholz ndanë gjithashtu shqetësimin se Kina po shqyrton mundësinë e furnizimit me armë të Rusisë dhe i bënë asaj thirrje publikisht të mos ndërmarrë një veprim të tillë.
“Kemi qenë shumë të qartë për faktin se do ketë pasoja nëse ndërmerret një veprim i tillë”, tha të premten zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby gjatë një interviste për Zërin e Amerikës. “Është e qartë se të paktën një nga këto pasoja është dëmtimi i rolit të Kinës në skenën ndërkombëtare”, tha ai./VOA
Fraksion.com