AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Hidhuni përpjetë sa të doni, nderin e përballjes me mua s’do e keni! Mos u shkulni nga imagjinarja

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën duke thënë se mund të thonë sa të duan që është trembur e frikësuar dhe të mos shkulen nga revolucionet imagjinare, por s’do mund të përballen dot me të.

“Fronti i prokurorisë i pranishëm në sallë po zhvillon me hov revolucionar një tjetër proces këtu në Shqipëri. Se kush janë dhe pse e bëjnë këtë vetëgjyqësi të harbuar, besoj se s’ka shumë nevojë për shpjegime. Dihen e shquhen për nisma të kësaj natyre dhe as nuk i ngatërron dot me dikë tjetër. Janë po ata që i kanë bërë të tëra të zezat për të cilat na akuzojnë natë e ditë që kur ranë në opozitë. S’kam ardhur sot e nuk do të vij më për ta. Do të vij sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve dhe deputetëve të shumicës që sot nuk mund t’i lija vetëm në këtë mocion absurd për debat.

E kam thënë që para se të niste kjo zallamahi, që në të hyrë të vitit të ri që s’do ta furnizoj më me energjinë time të zjarrit pa ndalim. Nuk kam dëshirë të armatosem me fjalorin e ulët të kësaj politike. Fatkeqësisht janë përfshirë me zell e zjarr në këtë palo luftë dhe jam bërë padashje dhe unë pjesë e asaj mase të errët. Mjaft më. Ka kaq shumë gjëra për të bërë. flisni, bërtisni, ulërini, akuzoni, shpifni, kërcënoni, shani, ofendoni, sajoni, fabrikoni, protestoni, hidhuni përpjetë sa të doni por nderin e përballjes me mua bam e bum, njëri gozhdës tjetri patkoit, s’keni për ta pasur. Thojini të tjerëve sa të doni që jam trembur, po të doni mos u shkulni nga revolucionet imagjinare, por mua s’do më keni më palë. Ju jeni në rregull, keni hyrë në vitin e 10-të të rrugës që më keni rrëzuar disa herë”, tha Rama.

 

Fraksion.com