Kuvendi i Lezhës hodhi themelet e bashkimit të shqiptarëve
579 vjet më parë, më 2 mars 1444, u mbajt “Besëlidhja e Lezhës”. Kuvendi i fisnikërisë u mbajt në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.
Vendimet e kuvendit ishin:
- Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
- Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
- Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.
Skënderbeu, si kryetar i Besëlidhjes, nisi të organizonte ushtrinë që përbëhej nga forcat e përhershme dhe nga forcat që do të mobilizoheshin në rast lufte. Forcat e përhershme u formuan nga repartet e sundimtarëve shqiptarë, sipas kuotës së caktuar nga Kuvendi i Lezhës.
Në ushtrinë prej 8000 kalorësish dhe 7000 këmbësorësh, një të tretën e përbënte garda e Skënderbeut.
Fraksion.com