Balluku për “McGonigal”: Çështja po hetohet në SHBA. Po kërkoni që edhe amerikanëve t’u mësoni si bëhet drejtësia
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë deklaroi sot se hetimi në SHBA për ish-zyrtarin e FBI-së nuk ka të bëjë as me shtetin shqiptar as me qeverinë dhe as me Kryeministrin Edi Rama.
“Çështja po hetohet në SHBA. Ju kërkoni drejtësi, por se nuk e lini drejtësinë të bëj punën e saj. Mirë SPAK-un që e mësonit si të bëjë drejtësi, por tani keni kaluar edhe oqeanin dhe po kërkoni që edhe amerikanëve t’u mësoni se si duhet të bëjnë procesin e drejtësisë“, tha Balluku.
Gjithë zhurmën Balluku e cilësoi një përpjekje të dëshpëruar nga ana e opozitës për kapital.
“Kjo është një përpjekje e dëshpëruar nga ana e non gratave apo zëvendësve të saj për të tërhequr vëmendjen nga një çështje tjetër. Po mundoheni t’i jepni pak kapital nesër, por u pa herët e fundit se sa kapital politik nxirrni ju tashmë nga protesta. Protestat, që PD i ka pasur instrumentin e saj për të mbledhur ata njerëz që humbnin diku. Edhe këtë kapital e keni humbur”, iu drejtua ajo opozitës.
Ajo deklaroi se opozita e ngriti këtë çështje për të mbuluar historinë e një partie që e shkatërruat dhe sot nuk dini ku keni as kokën dhe as këmbët.
“Ndërkohë shqiptarët e kanë të qartë se kush është kufoma politike, kush u ngrit nga varri për të folur nga foltorja”, tha Balluku.
Fraksion.com