Përplasen dy trena në Greqi, 32 të vdekur dhe 85 të plagosur
Një aksident i rëndë hekurudhor ka shokuar Greqinë, që shënohet si një prej aksidenteve më të mëdha hekurudhore në historinë e saj.
Si pasojë 32 persona kanë gjetur vdekjen dhe 85 janë plagosur, prej të cilëve 25 ndodhen në gjendje kritike. 270 të tjerë janë transportuar me autobusë në Selanik.
Sipas dëshmitarëve okularë dy vagonet e para janë shkatërruar tërrësisht, ndërsa tre vagonë të tjerë të trenit të pasagjerëve kanë dalë jashtë shinave. Mbi 40 ambulanca kanë shkuar në vendgjarje, si dhe repartet e zjarrfikësve me 150 vetë, 32 policë me 15 mjete kanë izoluar vendin e aksidentit , spitalet e gjithë zonës janë vënë në gadishmëri për të trajtuar të lënduarit, në vendgjarje ndodhet edhe ministri i Shëndetsisë.
Megjithse shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, vlerësohet se kemi të bëjmë me një gabim njerëzor. Dyshohet se përgjegjësi i stacionit në Larisa e ka futur trenin e pasagjerëve në binarë të gabuar, duke rezultuar që të dy trenat të ndodhen në të njëjtën trase nga dy drejtime të ndryshme dhe të përplasen me forcë të madhe.
Vlerësohet gjithashtu se numri i viktimave do të rritet pasi ende nuk janë gjendur pasagjerët e dy vagonëve të parë .
Greqia ka regjistruar edhe dy aksidente të tjera hekurudhore shumë vite më parë. Pranë Dervenit në 1968 përsëri dy trena janë përplasur me pasojë vdekjen e 34 pasagjerëve dhe plagosjen e 100 të tjerëve , ndërsa edhe në vitin 1972 në një ngjarje të ngjashme 19 persona kanë vdekur nga një përplasje trenash pranë Kardhitsës.
Fraksion.com