Aksidenti hekurudhor në Greqi, rritet në 36 numri i viktimave
Ka shkuar në 36 numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor në Greqi, njoftoi sot zëdhënësi i Shërbimit të Zjarrfikësve të Greqisë, Vasilis Vatrakogiannis.
Agjencia greke AMNA njoftoi se një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën në rajonin Tempi, në veri të qytetit Larisa.
“Të paktën 130 persona u plagosën”, tha Vatrakogiannis, duke folur para gazetarëve, raportoi shërbimi publik RTV ERT. Sipas tij, 66 të lënduar po trajtohen në spitale të ndryshme të afërta.
Treni i pasagjerëve thuhet se transportonte 346 persona dhe ishte nisur nga Athina për në Selanik. Sipas raportimeve, disa vagonë kanë dalë nga shinat dhe të paktën tre prej tyre morën flakë.
Punonjësit e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar duke u fokusuar në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve.
Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Thanos Plevris po viziton spitalet ku janë transportuar të lënduarit.
Shkaku i aksidentit fillimisht ishte i paqartë.
Por sipas informacioneve të fundit nga hetimet në vijim, aksidenti duket se ka ardhur si pasojë e gabimit të stacionistit të Larisës , i cili në seksionin “Larissa – Evangelismos” ka drejtuar trenin e pasagjerëve në vijën e poshtme të trafikut, në të njëjtën linjë me trenin e mallrave, sipas medias greke.
Të njëjtat informacione përmendin se urdhri, siç rezultoi, fatal i Stacionit të Larisës për trenin 62 të pasagjerëve ishte “kaloni në semaforin e kuq të daljes deri në hyrje të Neos Poros që do të thotë stacioni tjetër pas atij të Larisës”.
Shefi i stacionit , i cili është dërguar në policinë e Larisës, dyshohet se i ka thënë policisë se ka dhënë një urdhër për ndryshimin e pistës, por nuk është zbatuar nga sistemi.
Sipas burimeve kompetente, nëse mjeshtri i stacionit do të kishte kuptuar se treni i pasagjerëve po lëvizte në të njëjtën linjë me trenin e mallrave, do të kishte urdhëruar që të dy të ndalonin para se t’i afroheshin njëri-tjetrit, duke qenë se përplasja ndodhi afërsisht 25 km nga Larisa, stacioni hekurudhor dhe pika e ndryshimit të trasesë. Në çdo rast, OSE ka kërkuar dhe pret transkriptin e një bisede të mundshme mes drejtuesit të stacionit dhe makinistëve.
Në lidhje me komentet se ai ishte pa përvojë, burime kompetente të OSE-së sqarojnë se ai është 56 vjeç, prej shumë vitesh punonjës i organizatës dhe ka marrë detyrën pas një viti trajnimi dhe certifikimi së bashku me rreth 100 kolegë të tij. të cilët kaluan në të njëjtin proces.
Siç saktësohet nga burime kompetente, trajnimi, ekzaminimi dhe certifikimi i masterave të stacioneve bëhet nga OSE, e cila është menaxhere e Infrastrukturës hekurudhore me përgjegjësi për rrjetin dhe menaxhimin e trafikut të trenave.
Për sa i përket Hellenic Train, theksohet se është kompania hekurudhore ajo që drejton pothuajse të gjitha linjat hekurudhore në vend, është përgjegjëse për shërbimin e publikut të pasagjerëve dhe ka si staf makinistë.
Drejtuesit e trenave trajnohen nga OSE dhe ekzaminimi dhe certifikimi i tyre bëhet nga RAS, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, i cili është përgjegjës për rregullimin dhe sigurimin e funksionimit të rregullt të tregut hekurudhor.
Përplasja ndodhi në një linjë që lidh Athinën me Selanikun, e cila u modernizua gjatë viteve të fundit.
”Pavarësisht modernizimit, i cili përfshinte tunele dhe ura të reja, si dhe dy shina përgjatë rrugës 500 kilometra, kishte ende probleme të rëndësishme me koordinimin elektrik të kontrollit të trafikut”, sipas sindikatës greke të drejtuesve të trenave.
“Ne udhëtojmë nga një pjesë e linjës në tjetrën me radio, ashtu si në kohët e vjetra. Drejtuesit e stacionit na japin dritën jeshile”, shpjegoi në radion shtetërore presidenti i sindikatës Kostas Genidounias.
Hekurudha e Greqisë, ”Hellenic Train”, operohet nga kompania hekurudhore shtetërore italiane ”Ferrovie dello Stato Italiane”.
Fraksion.com