A mund të bëhet njeriu i varur nga pornografia?
Psikologjia nuk e njeh zyrtarisht krijimin e ndonjë varësie të njeriut nga pornografia, por shumë vetë thonë se vuajnë prej saj. A është reale një gjë e tillë?
Nëse kërkon në google për “varësi nga pornografia” të dalin qindra artikuj që duken me reputacion për mënyrën si duhet trajtuar ky problem. Këta artikuj botuar shpesh në faqe interneti si MedScape, Medical News Today, dhe Healthline, flasin për sëmundjen, japin këshilla si të marrësh ndihmën e duhur dhe të sigurojnë se ti nuk je i vetmi që vuan prej saj.
Përveç kësaj, ka faqe interneti që pranojnë ekluzivisht se ndihmojnë njerëzit e prekur nga e ashtuquajtura varësi, si përshembull “NoFap” dhe “Your Brain on Porn.”
Por çudia është se në fakt, sipas të gjitha kornizave psokologjike të klasifikimit, aktualisht një person nuk mund të bëhet klinikisht i varur nga pornografia. As varësia nga seksi, as varësia nga pornografia nuk janë pjesë e DSM, një sistemi klasifikimi për çrregullimet mendore bërë nga shoqata e psikiatristëve amerikanë (APA), as pjesë e ICD, një sistemi të ngjashëm sëmundjesh të të gjitha llojeve, bërë nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë).
Por nëse keni pasur vetë përvoja të tilla ose e keni parë këtë gjë tek parnteri, ju e dini se konsumimi i pornografisë mund të dalë nga kontrolli dhe të dëmtojë marrëdhënien që keni. Në fund të fundit, të gjitha këto artikuj, faqe interneti, rrëfime në youtube nuk vijnë nga hiçi. Atëherë si është puna me këtë të ashtuquajtur varësi nga pornografia?
Moralizimi e vështirëson punën
Koncepti “varësi nga pornografia” është shfaqur për herë të parë në SHBA në fund të viteve 1970-të, thotë një artikull i publikuar në vitin 2016 në revistën Sexual Addiction and Compulsivity, varësia seksuale dhe pulsiviteti. Ai ka qenë përdorur nga lëvizja e moralit të shumicës, një organizatë politike e të krishterëve djathtistë dhe partisë Republikane në SHBA, që besonte në promovimin e asaj që ata e quanin “vlera të familjes tradicionale”. Udhëheqësit e kësaj lëvizjeje besonin se konsumimi i pornografisë përbënte rrezik për martesën “e pastër” dhe vlerat e saj.
Varësia nga pornografia diagnostikohet shpesh nga vetja. Sipas Joshua Grubbs, një psikolog klinike dhe studiues i varësisë nga pornografia në Universitetin shtetëror Bowling Green të Ohajos, nëse një person mendon se është i varur nga pornografia kjo gjë shpesh ka të bëjë me bindjet morale lidhur me konsumin e pornografisë.
Grubbs e quan fenomenin “incongruence morale” – prishje të harmonisë morale, për ata që mendojnë se pornografia është moralisht e keqe, por që vazhdojnë të shohin pornografi dhe mendojnë se kanë një problem me këtë gjë, janë madje të varur, megjithëse konsumimi i pornografisë konsiderohet normale nga shumica e standardeve.
Për këta njerëz, pornografia nuk ndikon mbi jetën e tyre në të njëjtën mënyrë që ndikon varësia klasike, dhe problemi mund të ketë të bëjë më shumë me turpin dhe stigmatizimin se sa ka të bëjë me konsiderimin e ndonjë varësie.
Patologjizimi i seksit
Një pjesë e problemit të futjes së seksit në kuadrin e varësive ka të bëjë me stigmën që e shoqëron. Gjykimi moral shpesh i jep formën “pamjes” që duhet të ketë dëshira seksuale, për të qenë e pranueshme nga shoqëria. Kjo gjë mund të luajë një rol në patoligjizimin e papërshtatshëm mjekësor të sjelljes seksuale, e cila mund të jetë krejt e zakonshme, por nuk i përgjigjet normave të pranuara.
Shembulli më i mirë që tregon për këtë është patoligjizimi i homoseksualitetit. Deri në fillim të viteve 1970-të, homosekualiteti konsiderohej në SHBA sëmundje psikologjike, një kategorizim që bëhej mbështetur tek stigma morale dhe fetare.
Psikologu i Universitetit të Stanfordit dhe ish-këshilltar për politikat ndaj drogës në Shtëpinë e Bardhë gjatë kohës së presidentit Obama, Keith Humphreys, i tha Deutsche Welles se duke u munduar që të kuptojë nëse sjellja seksuale e dikujt është duke shkaktuar probleme që duhen trajtuar nga psikologët apo psikiatrët, ai do të pyeste pacientin: “A jeni duke u kënaqur sinqerisht me këtë gjë? A jeni duke funksionuar në jetë, apo ndërhyn kjo në gjërat e tjera të jetës si përshembull punën ose shëndetin? A është duke shkatërruar kjo marrëdhëniet me njerëzit e tjerë?”
“Nëse asnjë nga këto gjëra nuk ndodh, atëherë do të thonim, mirë pra kjo ka të bëjë me mënyrën se si doni ju të jetoni, apo jo?” thotë Humpreys. “Sepse atje nuk është duke u shkaktuar ndonjë dëm. Nëse ju nuk dëmtoni njeri, nuk i bëni dëm askujt tjetër, atëherë kjo gjë nuk është pjesë e mjekësisë. Sepse kjo gjë nuk ka të bëjë me atë që pritet të bëhet prej nesh. Ne jemi këtu për të ndihmuar njerëzit që janë në njëfarë mënyre të dëmtuar, të sëmurë, zgjidheni vetë fjalën e duhur. Ne nuk jemi këtu për të bërë gjykime, për të kënaqur pikëpamjet morale të njerëzve.”
Pavarësisht nga diskutimet morale, ekzistojnë sjelljet seksuale të dala nga kontrolli
Sidoqoftë, psikologët janë të një mendjeje se edhe po të lemë mënjanë paragjykimet dhe gjykimet, dëshira eksesive për pornografi dhe seks ekziston dhe mund të shkaktojë dëme. Kjo dëshirë mund të bëhet obsesive dhe mund të rrezikojë marrëdhëniet e njerëzve dhe punën e tyre.
Isabella Hauser, profesore e psikiatrisë dhe drejtoreshë e klinikës psikiatrike dhe psikoterapiste për pacientët e pashtruar në spital, në spitalin universitar Charite të Berlinit, ka trajtuar në 30 vjet pune vetëm dy pacientë me varësi nga seksi. Ata duhet të bënin seks ose shikonin pornografi pesë herë në ditë, çdo ditë, gjë që pengonte marrëdhëniet e tyre dhe shprehimisht, i shkonte deri në palcë, thotë ajo.
Probleme të lidhura me kontrollin impulsiv të seksit vërehen më shpesh tek burrat, por edhe gratë kanë përvoja të tilla.
Pavarërisht përmendjes së të ashtuquajturve të varur nga seksi, Harvey Weinstein, për shembull e quajti veten të tillë gjatë mbrojtjes ligjore të bërë në gjyq, studime të thella për përhapjen dhe shkaqet e problemit janë të pakta. Përveç që është e vështirë të studiohet në përgjithësi, studimet e seksit dhe pornografisë nuk mbështeten dhe stigmat përbëjnë pengesë të madhe për të gjetur pjesëmarrësit në studime.
“Prej mijëra vitesh ne e dimë se disa njerëz kanë sjellje eksesive seksuale dhe të dalë jashtë kontrollit, që krijojnë probleme të mëdha në jetën e tyre,” thotë Grubbs. “Nëse sjellja eksesive, kompulsive, e dalë nga kontrolli përbën varësi, kjo është një çështje tjetër.”
A mund të jetë njeriu i varur nga diçka tjetër përveç drogës?
Tradicionalisht ekspertët kanë menduar se njeriu mund të bëhet i varur vetëm nga substancat. Por në vitet 1990-të, psikologjistët filluan të zgjerojnë sistemin e klasifikimit duke futur në të varësinë e quajtur “nga sjellja” nga zakoni, ku mund të futet edhe varësia nga pornografia dhe seksi.
Psikologët thonë se njerëzit mund të bëhen të varur nga zakoni, për shembull për përdorimin e internetit, luajtjes së lojrave me video, seksit, kumarit, fitnesit, ushqimit dhe blerjes.
A mund të konsiderohen këto probleme më shumë varësi apo çrregullim i kontrollit impulsiv, është çështje e debatueshme shumë, dhe nuk ekziston konsensus i qartë shkencor.
“Këmbëngulja e një sjelljeje përballë koseguencave që rezultojnë në një lloj varësie fiziologjike, kështu e përcaktoj unë varësinë,” thotë Grubbs. “Por ky nuk është përkufizim që i bind të gjithë. Unë njoh studiues shumë të mirë që thonë se varësia nuk është problem. Ose njoh të tjerë që thonë: ”Mirë, po varësia është e vetmja gjë që ka rëndësi.” Këto lloj faktorësh janë shumë më të pakapshëm se sa duam ta pranojmë.”
Humphreys thotë se ai mendon se sjellja impulsive futet në territor varësie kur fillon të shkaktojë dëme të vërteta tek një person ose tek një tjetër. Personi që e ka këtë problem mund të mendojë: “E di që është keq, por nuk mund të duroj të mos e bëj.”
Sistemi i klasifikimit nuk ka rëndësi për kujdesin individual
Ekspertët që merren me çështjet e varësisë nuk shqetësohen shumë me debatin semantik për konsumin kompulsiv të pornografisë, ose hiperseksualitetin, apo a duhet konsideruar varësi loja me video apo jo. Përfundimisht ata thonë, nuk përbën problem.
Të gjithë ata që u pyetën për të shkruar këtë artikull, pranuan, se këto probleme ekzistojnë në rrethana të caktuara, megjithëse nuk njihen si varësi nga sistemet psikologjike të klasifikimit. Megjithëse mund të jetë e vështirë ta quash një person “të varur” nga pornografia siç quan një person që është i varur nga heroina, nëse personi sheh pornografi 18 orë në ditë ose sheh shumë shpesh dhe nuk kalon kohën me partnerët e vet, atëherë aty ekziston një problem psikologjik, i cili duhet luftuar, pavarësisht se si vendos t’ia vësh emrin./DW
Fraksion.com