AktualitetPolitikëTë fundit

“Ura mbi Bunë”, Rama: Distanca mes Velipojës e Ulqinit nga 73 km bëhet në 300 m

Ura mbi lumin Bunë do të shkurtojë në 300 metra distancën mes Velipojës e Ulqinit nga 73 kilometra që është aktualisht.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky projekt, i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Rama tha se “projekti do të bashkëfinancohet nga qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të lidhur dy vendet duke shkurtuar distancën mes Velipojës e Ulqinit nga 73 km në 300 m”.

Kryeministri shtoi se ura mbi lumin Bunë i jep një shtysë të re lirisë së lëvizjes, turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare.

Marrëveshja për ndërtimin e Urës së Bunës u nënshkrua dje në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Podgoricë.

Ura do të jetë e kategorisë C1 dhe do të ketë mundësi të përdoret për makinat, për kamionët, për kalimtarët, biçikletat dhe do të ketë dy korsi, gjithashtu edhe pjesën e vendpushimeve dhe të trotuareve.

Ura që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi e që do ndërtohet mbi lumin Buna, do të ketë një gjatësi prej 303 metrash. Ajo do të ketë 3 harqe dhe pritet të shkurtojë distancën mes dy vendeve nga 37 kilometra që është aktualisht në vetëm 1 km.

Ulqini dhe Velipoja kanë një largësi vetëm 1 km mes tyre, por nga pikëpamja e ndërlidhshmërisë aktuale kanë 73 km. Me projektin e urës së re distanca mes Shqipërisë dhe Malit të Zi do të shndërrohet në 1 km rrugë.

 

Fraksion.com