Ukraina kërkon avionë F-16, SHBA: Nuk është momenti i duhur
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të hënën se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë në qytetin lindor Bakhmut, ku forcat ukrainase dhe ruse janë angazhuar në luftime të rënda. Ukraina vazhdoi ndërkohë të hënën përpjekjet për të pajisur forcat e saj me avionë luftarakë megjithë vlerësimin më të fundit nga Shtetet e Bashkuara se kjo nuk do të ishte koha e duhur për të ofruar avionët amerikanë.
“Çdo diskutim për të furnizuar Ukrainën me armatime jetike filloi me një ‘jo’ dhe përfundoi me një ‘po’, ” shkruajti në Twitter Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. “Gjatë vitit të fundit, kemi gjetur çelësin për vendime politike për gjashtë nga shtatë llojet e armatimeve që janë vendimtare. Të vetmit që kanë mbetur janë avionët luftarakë”.
Zoti Kuleba aludoi kështu për ngurrimin e mëparshëm për t’i dërguar Ukrainës tanke dhe ndihma të tjera ushtarake, që në vazhdim vendet partnere vendosën t’i ofrojnë.
Disa ligjvënës amerikanë po përpiqen ta bindin Shtëpinë e Bardhë që të ndryshojë qëndrimin.
Ushtarët ukrainas përdorën gjatë fundjavës raketat e tipit Grad të periudhës sovjetike në përpjekjet për të rimarrë territoret e pushtuara nga ushtria ruse në Kharkiv.
Ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshpëndeti raundin e ri të sanksioneve, të shpallur të shtunën nga Bashkimi Evropian kundër Moskës, ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare.
“Ne jemi në gjendje t’i japim fund agresionit rus këtë vit”.
Mundësia që ukrainasit të forcojnë sistemet e tyre të mbrojtjes me avionë amerikanë të tipit F-16 dhe artileri me rreze të gjatë, aktualisht nuk po shqyrtohet, tha këshilltari i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, në programin “This Week” të rrjetit televiziv ABC.
“Në këtë fazë, elementi kritik është aftësia e manovrimit në tokë. Çka nënkupton tanke, mjete të blinduara transporti, automjete luftarake për këmbësorinë. Pyetja për avionët F-16 është për më vonë”.
Por disa ligjvënës synojnë të bëjnë më shumë tani, tha për rrjetin ABC republikani i Dhomën e Përfaqësuesve Michael McCaul.
“Mund t’u japim përparësi sistemeve të armatimeve në buxhetin për programe të caktuara dhe synojmë ta bëjmë këtë. Besoj se me trysni të mjaftueshme nga të dy palët në Kongres mund të sigurojmë ato që ka nevojë Ukraina për të fituar luftën”.
Por Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë të vetme. Administrata e Presidentit Biden do të ketë nevojë që vendet aleate të rrisin kontributet e tyre, tha Senatori republikan Dan Sullivan në programin “Meet the Press” të rrjetit NBC.
“Ata janë angazhuar që të shpenzojnë për mbrojtjen të paktën 2% të prodhimit të brendshëm neto, që duhet të jetë shifra fillestare. Shumica dërrmuese e vendeve të NATO-s nuk e bëjnë këtë”.
Në sferën diplomatike, Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se do të vizitojë Kinën në prill, për të diskutuar mbi përpjekjet e Pekinit për ndërmjetësimin e paqes.
Shtetet e Bashkuara duan gjithashtu që të mbajnë të hapura linjat e komunikimit, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan në rrjetin NBC. Por nuk janë planifikuar bisedime mes Presidentit Joe Biden dhe homologut kinez Xi Jinping.
“Për momentin asgjë nuk është planifikuar, megjithëse parashikoj që të dy udhëheqësit do të bisedojnë në një moment jo shumë të largët”.
Ai theksoi nevojën e mbajtjes hapur të kanaleve të komunikimit ushtarak me Kinën për të shmangur përshkallëzimin, aksidentet dhe surprizat e mundshme.
Fraksion.com