AktualitetEkonomiTë fundit

Vjero: Shumë shpejt për konsultim publik drafti “Për lojërat e fatit”

Drafti i ri për “Lojërat e fatit” shumë shpejt pritet të hidhet për konsultim me grupet e interesit.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, në një prononcim për ATSH-në, bëri të ditur se përmes këtij draftligji synohet rikthimi i basteve sportive në formë online.

Ajo vuri në dukje se, jemi në fazën përfundimtare për përcaktimin e kritereve të licencimit.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka punuar për një draftligj “Për lojërat e fatit”, synimi i të cilit është rikthimi i basteve sportive në formë online pa prezencë fizike. Po shikojmë edhe mënyrën se si do të bëhet licencimi i operative, nëse do të ketë nevojë për një numët të kufizuar licencash, apo do të jetë garë e hapur për të gjithë ata që do të plotësojnë kriteret. Po rishikohen kriteret, ashtu sikundër dhe strukturat që do të jenë përgjegjës për dhënien e këtyre licencave dhe më tej monitorimin e këtyre licencave. Po shikohet mënyra e taksimit, se si do të taksohen organizatorët e lojërave të fatit, apo edhe mënyra se si të ardhurat nga kjo kategori do të përdoren, do të shkojnë për aktivitete sportive, kulturore apo turizmi, programe sociale, apo për të mbrojtur lojtarin. Shumë shpejt do të hidhet për konsultim publik me të gjitha grupet e interest”, deklaroi Vjero.

Kompanitë e lojërave të fatit renditen ndër më fitimprurëset në vend.

Nga janari i vitit 2019 qeveria vendosi mbylljen e aktiviteteve për bastet sportive dhe kazinotë elektronike, duke lejuar vetëm aktivitetin e kazinosë në qendër të Tiranës, bingot tradicionale dhe Lotarinë Kombëtare si dhe kazinotë në hotelet e markave./ATSH

 

Fraksion.com