Tërmet i ri në Turqi
Një tërmet 5.6 shkallë i Rihterit e ka goditur të hënën Turqinë, duke rrëzuar disa ndërtesa veçse të dëmtuara nga tërmetet paraprake.
Tri javë më parë, Turqia dhe Siria janë goditur nga dy tërmete mbi 7 shkallë të Rihterit, të cilat kanë lënë mbi 50 mijë njerëz të vdekur dhe qindra mijëra ndërtesa të shkatërruara.
Tërmeti i 27 shkurtit e ka pasur epiqendër qytezën Jesiljurt në provincën Mallatja, ka thënë Agjencia shtetërore për Menaxhim të Katastrofave.
Kryetari i qytezës, Jesiljurt, Mehmet Cinar, u ka thënë mediave turke se një numër ndërtesash janë rrëzuar, përfshirë një ndërtesë katërkatëshe, ku kanë mbetur të bllokuar një baba me vajzën e tij.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar punën për të gjetur njerëzit që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Mallatja është në mesin e 11 provincave turke që janë goditur nga tërmetet e 6 shkurtit.
Agjencia turke për Menaxhim të Katastrofave ka thënë se pas tërmeteve mbi 7 shkallë, rajoni jugor turk është përballur me mbi 10.000 pasgoditje.
Fraksion.com