AktualitetBota+EkonomiTë fundit

SHBA propozon menaxherin Ajay Banga si drejtues të Bankës Botërore

Presidenti i SHBA-së Biden propozon ish-shefin e Mastercard, Ajay Banga, si kandidat për postin e shefit të Bankës Botërore. Franca dhe Gjermania e mbështesin këtë propozim.  

SHBA dëshiron që Presidenti i ri i Bankës Botërore të bëhet ish-shefi i Mastercard, Ajay Banga. 63-vjeçari ka një “perspektivë unike” për mundësitë dhe sfidat e vendeve në zhvillim dhe për mënyrën se si Banka Botërore mund të zbatojë agjendën e saj ambicioze për të ulur varfërinë dhe për të rritur mirëqënien, tha Biden. Banga ka gjithashtu përvojë të rëndësishme në mobilizimin e fondeve për të trajtuar çështjet më të ngutshme – duke përfshirë ndryshimin e klimës.

Ministri gjerman i Financave Christian Lindner shprehu mbështetjen e Gjermanisë për këtë propozim të bërë nga Presidenti i SHBA Joe Biden. Ky propozim është “shumë domethënës dhe ia vlen të merret në konsideratë”, tha politikani liberal në kuadrin e një takimi të ministrave të Financave të G20 në Bengaluru, në Indi. Një person nga sektori privat të bën të shpresosh se në të ardhmen do të mobilizohenmë shumë investime private, tha Lindner. Përveç kësaj nisur nga biografia e tij Banga është simbol i solidaritetit midis vendeve të zhvilluara industriale dhe vendeve në zhvillim.

Edhe ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, u shpreh i impresionuar: “Unë mendoj se ai është një kandidat i mirë,” i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters. “Më duhet ta takoj për të mësuar pak më shumë për të”. Ministri francez i Financave tha se do të dijë se cilat do të jenë ambiciet e Ajay Bangas për Bankën Botërore, e cila luan një rol të rëndësishëm për vendet në zhvillim.

Kreu i Bankës Botërore është tradicionalisht nga SHBA-ja

Banga është nënshtetas i SHBA-së me origjinë nga India. Aktualisht ai është nënkryetar i kompanisë aksionere General Atlantic. Ai gjithashtu punon ngushtë me zëvendëspresidenten e SHBA-së Kamala Harris si bashkëkryetar i grupit Partneritet për Amerikën Qendrore.

Banga ka deri tani shanset më të mira për të marrë postin e presidentit të Bankës Botërore. Shtetet anëtare mund të propozojnë deri më 29 mars edhe kandidatë të tjerë si pasues të presidentit aktual, David Malpass. Megjithatë kreu i Bankës Botërore tradicionalisht është nga SHBA-ja.

Malpass ka njoftuar se do të japë dorëheqjen në fund të qershorit, shumë përpara përfundimit të mandatit të tij në prill 2024. Ai u emërua nga ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe konsiderohet skeptik kundrejt institucioneve shumëpalëshe.

Ngozi Okonjo-Iweala, kreu aktual i Organizatës Botërore të Tregtisë OBT, ishte gjithashtu në diskutim si kandidate. Ajo ka qenë dikur punonjëse e Bankës Botërore dhe ka nënshtetësi amerikane dhe nigeriane./DW

 

Fraksion.com