Rusia paralajmëron NATO-n dhe Ukrainën kundër “hapave aventureske” në rajonin separatist të Moldavisë
Të premten, ministria e jashtme ruse lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar NATO-n dhe Ukrainën kundër “hapave aventureske” në Transnistria – një rajon separatist i Moldavisë ku janë vendosur rreth 1500 trupa ruse.
Ajo paralajmëroi se ndërsa Moska qëndron për përdorimin e “mjeteve politike dhe diplomatike” për të zgjidhur çdo çështje, forcat ruse do të sigurojnë “mbrojtjen e bashkatdhetarëve të tyre” në Colbasna në Transnistria dhe do të “përgjigjen në mënyrë adekuate” ndaj çdo provokimi nga Kievi.
“Çdo veprim që paraqet kërcënim për sigurinë e tyre do të konsiderohet, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si një sulm ndaj Federatës Ruse”, shtohet në deklaratë.
Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar së fundmi Rusinë për komplot për të destabilizuar Moldavinë. Më 13 shkurt, presidentja e Moldavisë Maia Sandu u bëri jehonë pretendimeve të Ukrainës dhe akuzoi Rusinë se planifikon të përdorë “diversantë që kanë kaluar trajnime ushtarake dhe janë të maskuar si civilë” për të destabilizuar vendin.
“Deklaratat e Presidentit Zelensky për planet e Federatës Ruse për të destabilizuar Republikën e Moldavisë janë konfirmuar nga institucionet tona”, tha ajo.
Të enjten vonë, ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se Kievi kishte “intensifikuar përpjekjet për t’u përgatitur për një pushtim të Republikës së Moldavisë Transnistriane”.
Një bloger i shquar ushtarak rus, i cili quhet WarGonzo, tha se “duke pasur parasysh që ne nuk kemi furnizim të drejtpërdrejtë me tokë në Transnistria dhe se qeveria jomiqësore moldave me siguri nuk do të lejojë forcat tona ajrore në qiell, garnizoni rus në Transnistria tani është ndoshta në pozitën më të cenueshme, krahasuar me pozicionin në frontet e tjera”.
Ukraina përgjigjet: Duke iu drejtuar akuzave ruse se po ndërton forca pranë territorit moldav, një zëdhënës i Shërbimit Kufitar Shtetëror të Ukrainës tha se ushtria ukrainase dhe Garda Kombëtare kanë marrë “masa të shtuara në kufirin me Transnistrinë”, por vetëm “për të parandaluar çdo provokim nga ana tjeter.”
“Ukraina i ka kushtuar gjithmonë vëmendje Transnistrisë, pasi ajo është në fakt një enklavë e Rusisë, e cila mund të ishte përdorur kundër shtetit tonë që në 24 shkurt të vitit të kaluar”, tha zëdhënësi, Andrii Demchenko.
“Fatmirësisht ne nuk kemi regjistruar asnjë veprim aktiv apo provokues në këtë drejtim”, shtoi Demchenko.
Fraksion.com