Rama ndan fotoalbumin e vizitës në Hiroshima
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotoalbumin e vizitës në Hiroshima.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, Kryeministri vizitoi ditën e sotme Muzeun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima, ku pa nga afër dëshmi të një pjese të errët të historisë së Japonisë.
Kryeministri në mbyllje të vizitës në muze nënshkroi librin e të ftuarve të nderit.
“Jam i nderuar që jam në këtë vend vuajtjesh, dhimbjesh dhe historie unike, për të dëshmuar personalisht, me bashkëshorten dhe djalin tim 8-vjeçar, atë që ka qenë një plagë e thellë e njerëzimit që shpresojmë të shërbejë si një mësim për të gjithë dhe përgjithmonë! Faleminderit Hiroshima dhe Zoti e bekoftë popullin e mrekullueshëm japonez! Edi Rama”, ishte mesazhi që shkroi kryeministri Rama.
Ai e cilësoi vizitën në këtë muze si një përvojë të veçantë humanizmi për gjithë njerëzimin.