AktualitetPolitikëTë fundit

Balla: Hetimi nga SPAK i privatizimit të ÇEZ, lajm i mirë

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Fier, Taulant Balla, nga Fieri deklaroi sot se më në fund drejtësia po rikthehet në vend edhe pse, sipas tij, e vonuar.

Balla solli në vëmendje çështjen e CEZ. Sipas tij, shteti shqiptar ka humbur plot 418 milionë euro nga privatizimi i kompanisë. Ai theksoi se lajmi që SPAK po heton historinë e privatizimit të OSSH, ÇEZ dhe DIA është një lajm i mire, sepse kjo sipas Ballës, ka qenë një prej atyre aferave të cilat jo vetëm për nga vlera, por edhe nga mënyra e babzia sesi vepruan së bashku edhe Sali Berisha edhe Ilir Meta.

“Më në fund ka një shpresë të madhe të shqiptarëve se drejtësia në këtë vend edhe pse e vonuar po i rikthehet çështjeve me shumë rëndësi që ka sot sfida e madhe e drejtësisë. I rikthehem historisë së privatizimit të kompanisë OSSh tek kompania CEZ, një kompani shtetërore që u shit pa një inventar, pra sa kushton ajo që po shesim. Kuvendi i Shqipërisë është investuar në një Komision Hetimor për këtë çështje dhe kemi një raport të atij komisioni, ku kemi arritur në konkluzionin se në atë privatizim shteti shqiptar ka humbur plot 418 milionë euro dhe unë besoj se lajmi që u bë publik që SPAK po heton historinë e privatizimit të OSSH, ÇEZ dhe DIA është një lajm i mirë dhe uroj që t’i shkohet deri në fund të sepse kjo ka qenë një prej atyre aferave të cilat, jo vetëm për nga vlera ,por edhe nga mënyra e babzia sesi vepruan së bashku edhe Sali Berisha edhe Ilir Meta”, tha Balla.

Balla komentoi dhe deklaratave e kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili tha se më 3 mars të gjejë vrimë të futet. Balla theksoi se duket i vetmi ku duhet të kërkojë me vrull ku të futet në këto momente është Sali Berisha, sepse nëse ka një vrimë ku anija e shqiptarëve fut ujë këto 30 vite është ajo e Sali Berishës, i cili ka 33 vite që saboton në mënyrë konstante interesat kombëtare të shqiptarëve.

“Në 3 mars do të jemi në Kuvendin e Shqipërisë, sepse do të kemi mocionin me debat, por mendoj që duket si një lapsus froidian nga ana e Sali Berishës, sepse siç duket i vetmi që duhet të kërkojë me vrull ku të futet në këto momente, është Sali Berisha. Në Amerikë as me not nuk shkon dot dhe në Angli noti nuk e ndihmon të kalojë La Manshin, siç po duken bathët edhe BE është në procesin për ta shpallur non-grata për arsye që dihen, për korrupsion të nivelit të lartë dhe minim të demokracisë. Dje lapsusi froidian këtu ka dhe një konotacion tjetër, sepse nëse ka një vrimë ku anija e shqiptarëve fut ujë këto 30 vite është ajo e Sali Berishës, i cili ka 33 vite që saboton në mënyrë konstante interesat kombëtare të shqiptarëve, ka sabotuar sa ka pasur mundësi interesat e shqiptarëve të Kosovës, duke furnizuar me naftë makinerinë vrasëse përmes thyerjes së embargos së Kombeve të Bashkuara gjatë konflikteve në ish-Jugosllavinë. Vrima në anijen e shqiptarëve ka vetëm një emër dhe ai quhet Sali Berisha”, theksoi Balla.

 

Fraksion.com