AktualitetPolitikëTë fundit

Partitë e vogla vetëm në zgjedhje, Berisha: Është normale, duan të shohin sa vota kanë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot është normale që partitë e vogla të opozitës të kërkojnë të dalin më vete në zgjedhjet lokale, për të testuar se çfarë numri votash kanë.

Ai u shpreh i rezervuar lidhur me mundësinë që PDIU të kalojë nga e majta, teksa tha se çamët nuk duhet të afrohen me nipin e Spiro Kolekës.

“Nuk besoj se kanë nxjerrë një kandidat për Tiranën, por ka një gjë këtu. Çdo forcë politike përpiqet të provojë veten me këshilltarët. Ai do të dijë rekordin e vet elektoral, do të dijë cilat janë kuotat e tij. PDIU akoma është në zonën gri, po shoh se nga po shkojnë. Nuk mund të them se po vijnë nga PD apo do shkojnë nga PS. Një gjë u them, në qoftë se ka pasur armiq më të egër pas Zervazit popullata çame, ka pasur Enver Hoxhën, i cili për 45 vjet ata, shkodranët dhe minoritarët grekë i kishte në epiqendër të të gjithë kasaphanës së luftës së klasave. Çdo çam duhet të mendohet kur afrohet me nipin e Spiro Kolekës dhe të birin e Kristaq Ramës”, u shpreh Berisha.

Lidhur me vendimin e 3 marsit nga gjykata e Apelit, kreu i PD-së, tha se “PD s’ka asnjë problem me logon dhe as me gjykatën. Ka një vendim gjykate të 25 marsit 2022 ku konsiderohen legjitime të gjitha ndryshimet në statut, e gjithë procedura e Kuvendit të 11 dhjetorit. Edi Rama mban peng përmes kancelarit regjistrimin e këtij vendimi”./BW

 

Fraksion.com