Zyrtari rus: Ura e Krimesë e dëmtuar në shpërthimin e tetorit tani është plotësisht e hapur për trafik
Ura e Kerçit, e cila lidh Krimenë e pushtuar nga Rusia me kontinentin rus, ka qenë plotësisht e hapur për trafikun e makinave në të gjitha korsitë më shumë se një muaj përpara afatit, njoftoi të enjten zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.
Kujtojmë se pjesë të urës u dëmtuan si pasojë e një shpërthimi që ndodhi më 8 tetor 2022. Shkaku i saktë i shpërthimit të urës mbetet i paqartë. Zyrtarët rusë kanë thënë se një kamion i mbushur me eksploziv shpërtheu, duke dëmtuar dy hapësira të seksionit të autostradës së urës dhe duke shkaktuar zjarr për të djegur vagonët e një treni që udhëtonte për në rajonin e Krasnodarit. Katër persona u vranë, sipas TASS.
Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, por disa ditë më vonë, Rusia nisi një valë sulmesh me raketa në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.
Të gjitha korsitë për trafikun e makinave në urë janë plotësisht të hapura 39 ditë përpara afatit, sipas Khusnullin. Ndërkohë, restaurimi i pjesës hekurudhore të urës është planifikuar të përfundojë në korrik 2023. Restaurimi i pjesëve të tjera të urës do të përfundojë para 1 korrikut, sipas TASS.
Ura ka një rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike për Rusinë, e cila ndërtoi urën 19 kilometra të gjatë (rreth 12 milje) pasi Moska aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në 2014.
Fraksion.com